Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur në takim përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të kryesuar nga nënkryetari Migjen Shala.
“Në takim ku të pranishëm ishin edhe ministri i Financave, Agim Krasniqi dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Safet Kamberi, u diskutua lidhur me vështirësitë ligjore për realizimin e pagesave të pensioneve të veteranëve luftëtarë për muajin gusht dhe muajt në vijim”, thuhet në njoftim.
Mustafa i njoftoi përfaqësuesit e OVL të UÇK-së, se pengesat për pagimin e pensioneve ndërlidhen me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Buxhetin, të cilin duhet ta bëjë Kuvendi i Kosovës, ndërkaq janë evidente zvarritjet në konstituimin e Kuvendit.
“Sa u përket fondeve, ato do të sigurohen me rishikim të Buxhetit, dhe veteranët do të realizojnë plotësisht të drejtat e tyre në pensionet që u takojnë, të cilat do të paguhen në mënyrë retroaktive”, tha kryeministri Mustafa.
Gjatë takimit është dakorduar që shuma e mbetur prej 1.7 milion euro në buxhetin e kategorisë së veteranëve të shpërndahet proporcionalisht dhe pagesa sipas kësaj shpërndarje të bëhet menjëherë.
Gjithashtu kryeministri ka njoftuar përfaqësuesit e veteranëve se janë në përfundim procedurat për fillimin e punës së Komisionit për kategorizimin e veteranëve luftëtar dhe se puna e këtij Komisioni do të fillojë javën e ardhshme. /Telegrafi/