Deputetja Arbërie Nagavci, njëherësh anëtare e Komisionit Parlamentar për Arsim, ka qenë e ftuar në “Express Intervistën” në KTV, për të diskutuar rreth përjashtimit të Kosovës nga EQAR, Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.
Ajo ka folur për faktin se ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi bojkotoi sot raportimit para anëtarëve të Komisionit.
“Në fakt ai e kishte konfirmuar pjesëmarrjen e tij dje në mëngjes, por mbrëmë vonë na ka njoftuar se për shkak të koordinimit të veprimeve me kryeministrin nuk mund të marrë pjesë”, ka thënë Nagavci, teksa ka thënë se ishtepikërisht kryeministri Ramush Haradinaj ai i cili kishte kërkuar shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim, duke çuar kësisoj në shkarkimin e Kosovës nga EQAR.
“Sigurisht përgjegjësinë kryesore për këtë veprim e ka kryeministri Ramush Haradinaj me vendimin e tij”, ka thënë Nagavci.
Ajo ka potencuar edhe një shkelje ligjore me këtë rast, duke thënë se nuk u raportua për arsyet e shkarkimit të Bordit të kaluar.
“Ai nuk ka raportuar në Kuvend, ani pse me Ligj është i obliguar që nëse 1/3 e anëtarëve të këtij Bordi shkarkohet për çfarëdo arsye, duhet të raportohet”, ka thënë Nagavci, përcjell Koha.net
Sipas Nagavacit, fatkeqësisht kishte vite që Bordi i AKA-së nuk ka qenë profesional.
“Bordi i kaluar sa nisi të japë disa sinjale të punës profesionale u shkarkua”, ka thënë ajo, derisa ka kujtuar po ashtu faktin se ish-kryetri i këtij Bordi, Blerim Rexhaj, i shkarkuar, ka qenë anëtar i PDK-së dhe zëvendësministër i kësaj partie.
“Pas marrjes së vendimit për shkarkimin e këtij Bordi, ish-kryetari i saj Blerim Rexhaj, ka dërguar një letër në EQAR ku ka shprehur shqetësimin e tij. Ata i kanë shkruar një letër MASHT-it për të mësuar arsyet e këtij shkarkimi. Dhe përgjigja që kanë marrë është se për shkak të konfidencialitetit nuk munden të jepen shpjegime, gjë që ka bërë që të përjashtohet Kosova”, ka thënë Nagavci.
“Koston e gjithë kësaj po e bartin më së shumti qytetarët e Kosovës, e sidomos studentët. Diplomat e tyre tash do të shihen me dyshim dhe mund të kontestohen”, ka thënë më tej ajo.
Nagavci ka folur edhe për seancën e jashtëzakonshme, të cilën e kanë thirrur bashkë me LDK-në, me 40 nënshkrime të mbledhura nga deputetët.
“Shpresojmë që të martën të mbahet seanca e jashtëzakonshme, e cila do të ketë temë trajtimi vetëm këtë çështje. Ne shpresojmë se nga kjo seancë do të nxjerrim një Rezolutë”, ka thënë Nagavci, duke thënë se sipas saj janë me rëndësi të paktën tri pika nga kjo çështje.
“Kërkojmë që në afat sa më të shkurtë të raportohet për arsyet e shkarkimit të Bordit të kaluar. Të tregohet se në bazë të çkafit kanë vendosur që të shkarkojnë atë Bord. Në anën tjetër kemi ish-anëtarë të atij Bordi që janë avancuar në pozita. Nëse ata paskan bërë shkelje do të duhej të penalizoheshin e jo të gradoheshin”, ka thënë ajo.
Pikë tjetër sipas Nagavcit, është tërheqja nga emrat e rinj të propozuar nga Qeveria për anëtarë të Bordit të ri.
“E mira do të ishte që të tërhiqen emrat e propozuar. Nga 9 anëtarët e propozuar vetëm 2 janë gra. Vetëm njëri nga ta ka punuar në fushën e arsimit. Shumica janë nga fusha e ekonomisë, një nga fusha e edukatës fizike, një ekspert i Bujqësisë”, ka thënë ajo.
“Të gjithë personat e zgjidhur duhet të jenë persona me kredibilitet profesional dhe pas një përcaktimi të qartë i kritereve strikte e profesionale”, ka thënë ajo tutje.
Dhe pas kësaj, sipas Nagavcit, duhet bërë ndryshime ligjore në mënyrë që të ardhmen të mos përsëriten telashe të tilla.
“Krahas kësaj të bëhet përpjekje që të riaplikohet për t’u riantarësuar në këtë mekanizëm. Reagimi nuk mjafton që të jetë vetëm ankesë formale, por duhet të dëshmohet se kemi vendosur që të respektojmë strikt kriteret profesionale, e jo interesat e ngushta politike e biznesore”, ka thënë në fund Nagavci.