Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka akuzuar ish-kryetarin e Kamenicës, Qëndron Kastrati, se i ka bërë fëmijët e kësaj komune pjesë të një beteje politike.
Duke folur në emisionin “60 Minuta” në KTV për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për organizimin e shkollimit të mbi 400 fëmijëve në Kamenicë, ajo ka thënë se vendimi i Ministrisë që të riorganizohet mësimi ka qenë për të garantuar të drejtën për shkollim për 441 fëmijët që për 2 vjet nuk kanë shkuar në shkollë.
Nagavci ka thënë se ish-kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati, do të duhej ta mendonte më mirë reformën në arsim.
“Prej momentit të parë kam qenë e interesuar të bëj më të mirën. Kam ftuar në takim dy herë kryetarin e Kamenicës, e kemi lutur që deri sa ta gjejë një zgjidhje të mos ua mohojë të drejtën për shkollim fëmijëve, jam munduar ta kuptoj se e ka pasur të vetmen çështje me të cilën ka diskutuar, nuk ka qenë i gatshëm. Ka qenë i gatshëm që fëmijët t’i bëjë pjesë e një beteje politike, që nuk qëndron në rastin tim”, ka thënë ajo.
Nagavci ka thënë se është obligim i institucioneve që të veprojnë kur është fjala për shkollim, si në rastin konkret.
“Gjykata Kushtetuese e ka përmendur se nuk e kanë trajtuar fare të drejtën për shkollim të nxënësve. Është obligim i gjykatave në përgjithësi të përkujdesen dhe të kenë balancim të të drejtave. Në këtë rast nuk është trajtuar e drejta”.
Ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë model për rastet e ngjashme që mund të ndodhin në të ardhmen.
“Është konsideruar nga gjykata që nuk duhet të merret fare me të drejtën për shkollim të nxënësve, nuk e ka trajtuar të drejtën për shkollim dhe i është përgjigjur vetëm pyetjes së parashtruar. Për ne do jetë situatë sfiduese sepse shtrohet pyetja çfarë ndodhë në situatat të ngjashme në të ardhmen”.
Si kryetar i Komunës, Qëndron Kastrati më 2019 kishte iniciuar reforma në arsim përbrenda Komunës, duke i mbyllur disa shkolla shkaku i numrit të vogël të nxënësve në to. Si rrjedhojë, nxënësit e këtyre shkollave i kishte bartur në objekte të tjera, porse në pakënaqësi ndaj vendimit, prindërit e nxënësve kishte refuzuar që ta zbatonin. Pas kësaj, MASHTI pati vendosur që të organizohet mësimi alternativ i përshpejtuar, duke i rihapur shkollat e mbyllura. Gjykata Kushtetuese e ka konstatuar këtë veprim si shkelje të Kushtetutës. Kushtetuesja vendosi që Ministria ka ndërhyrë në parimet e vetëqeverisjes lokale.