Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani është ndarë nga jeta. Prej disa ditësh ai ndodhej i shtruar në një spital në Gjermani, pasi vuante nga pneumonia bilaterale me insuficience respiratore, si pasojë e komplikacioneve të shkaktuara nga koronavirusi.
Nishani, 2 javë para se të nisej drejt Gjermanisë, u trajtua në kushte shtëpie, dhe më pas iu shfaqën komplikacione post-Covid. Ish-kreu i shtetit shqiptar u shtrua në spitalin “Shefqet Ndroqi”, por me kërkesë të të birit (student mjekësie në Gjermani) ai u dërgua aty për të qenë nën survejimin e mjekëve gjermanë.
Familja e Nishanit është ndodhur pranë tij në çastet e fundit. Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi famëkeq i ka lënë në organizëm.
Gjendja e tij u stabilizua për pak kohë, por, më pas, ajo u përkeqësua. Më 23 prill, ai u nis drejt Gjermanisë për mjekim, ku edhe dha frymën e fundit.
Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka konfirmuar vdekjen e ish-presidentit Bujar Nishani. Përmes një mesazhi në rrjetin social “Facebook” Paloka shkruan se pak më parë u konfirmua lajmi i vdekjes së Nishanit.
MESAZHI I PALOKËS
Nje lajm i hidhur ka pak qe u konfirmua ; Bujar Nishani , ish-President i Republikes, minister dhe funksionar ne disa poste te rendesishme te PD ne vite, ka nderruar jete! Nje fatkeqesi per familjen dhe per gjithe demokratet. Respekti yne per gjitheshka dha per PD dhe per vendin, do e shoqeroje kurdohere!
Kush ishte Bujar Nishani?
Zoti Bujar Nishani u lind më 29 shtator 1966 në qytetin e Durrësit.
Studimet e larta i kreu në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, në vitin 1988. Ka kryer studimet pasuniversitare në Kaliforni, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për “Menaxhimin e Resurseve të Mbrojtjes”, në vitin 1996. Studioi për Jurispudencë në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua si jurist në vitin 2004. Në vitin 2005 merr titullin “Master”, në Studimet Evropiane, në Shkollën e Studimeve Evropiane, pranë Universitetit të Tiranës.
Karrierën profesionale e nisi si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988. Më pas, në vitin 1993 punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke vazhduar në vitin 1994 në Ministrinë e Jashtme në Drejtorinë e Marrëdhënieve me NATO-n. Zoti Nishani rikthehet në vitin 1996 në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Në vitin 1997 kthehet në profesion të lirë si Kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë.
Karriera politike e zotit Bujar Nishani ka kaluar nëpër këto etapa: në vitin 1991 anëtarësohet në Partinë Demokratike; në vitin 2001 zgjidhet Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën; në vitin 2003 zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë nga lista e Partisë Demokratike; në vitin 2005, zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie.
Në korrik të vitit 2005, zoti Nishani zgjidhet deputet në zonën elektorale 34, në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike.
Nga marsi 2007 – shtator 2009 mbajti portofolin e Ministrit të Brendshëm; nga shtatori 2009 – prill 2011 kreu detyrën e Ministrit të Drejtësisë; për t’u rikthyer përsëri në prill të vitit 2011 si Ministër i Brendshëm, detyrë të cilën e mbajti deri në qershor të vitit 2012, kohë në të cilën Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi në detyrën e Kreut të Shtetit.
Në 24 korrik 2012, zoti Bujar Nishani betohet në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës.
Zoti Nishani flet rrjedhshëm gjuhën angleze. Zoti Bujar Nishani është i martuar me Zonjën Odeta Nishani dhe kanë dy fëmijë, Ersi dhe Fiona Nishani.



