Shkrimtari i madh peruan dhe laureati i Nobelit për letërsinë, Mario Vargas Llosa, është ndarë nga jeta të dielën në moshën 89-vjeçare në Lima, i rrethuar nga familja e tij. Lajmi u bë i ditur përmes një deklarate të fëmijëve të tij, Álvaro, Gonzalo dhe Morgana, e postuar nga Álvaro në rrjetin X.
“Me dhimbje të thellë njoftojmë se babai ynë, Mario Vargas Llosa, ndërroi jetë i qetë sot në Lima, i rrethuar nga familja e tij. Largimi i tij do t’i trishtojë të afërmit, miqtë dhe lexuesit e tij anembanë botës, por shpresojmë që ata të gjejnë ngushëllim, ashtu si ne, në faktin se ai ka pasur një jetë të gjatë, aventureske dhe të frytshme,” shkruhej në deklaratë.
Vdekja e tij u konfirmua edhe nga avokati dhe miku i tij i ngushtë, Enrique Ghersi, i cili përmendi ditëlindjen e fundit të shkrimtarit më 28 mars, të kaluar në shtëpinë e vajzës së tij Morgana. “Ai e kaloi i lumtur, miqtë e tij të ngushtë e rrethuan, hëngri tortën, ne bëmë shaka se kishte mbetur edhe 89 vite të tjera. Ai kishte një jetë të gjatë, të frytshme dhe të lirë,” tha Ghersi.
Me ndarjen nga jeta të Vargas Llosës, letërsia botërore humb një nga zërat më të fuqishëm të shekullit XX.