Sa i ngjashëm është ndalimi i TikTok-ut në Shqipëri me atë të SHBA-ve? Sipas ekspertit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Brendon Kotorri, nuk është aspak i ngjashëm sepse SHBA-të e ndërmorën këtë hap për sigurinë e të dhënave kombëtare, ndërsa Shqipëria sipas tij për të hequr barrën e shpjegimit lidhur me një ngjarje të ndodhur në vend.
I ftuar në studion e News 24, Kotorri u shpreh në fjalë të tjera se ndalimi i TikTok në Shqipëri nuk është propagandë siç cilësohet nga partitë e vogla, të cilat akuzojnë për cenim të lirisë së fjalës.
Ai tha se “Kushtetuta e garanton lirinë e shprehjes në botën reale, jo në botën virtuale. Në botën virtuale nuk ka ndonjë vlerë ka apo s’ka liri shprehje.”
“Në parim partitë e reja do akuzojnë qeverinë për çdo gjë. Unë nuk shoh asgjë të keqe që njerëzit të bëjnë fushatë në TikTok siç bëjnë në jetën reale, por nuk e shoh serioze që ti të mendosh se ty po ta mbyll qeveria se ka hall se do fitosh. Të gjitha projeksionet nuk e tregojnë këtë. Nëse qeveria sheh se rritet në sondazhe partia “x”, e vogël, apo “y”, “Lëvizja Bashkë” apo “Nisma Thurje” rritet për shkak të TikTok dhe shkon në sondazhe nga 2% në 6%, po do kishte logjikë që të thuash është sulm i drejtpërdrejtë.”, tha Kotorri për partitë e vogla.
Brendon Kotorri:
Do doja të shihja ngjashmëri por nuk shoh. Do doja që Shqipëria të shihte TikTok si cenim të sigurisë private, por ne nuk e kemi këtë shqetësim. Nuk kemi parë asnjëherë personin që e hidhi idenë e mbylljes, që ishte kryeministri Edi Rama ta elaborojë këtë mundësi, të dhënat e shqiptarëve që e përdorin, si e përdorin, pse përdorën nga TikTok, përvçse rishitën tek tregtarët e tjerë që i bëjnë reklamë në bazë të preferencave.
Në Shqipëri nuk shihet cenimi i sigurisë kombëtare. Në Shqipëri shihet kjo: ndodh një skandal, që origjinën e ka në TikTok dhe qeveria që të mos marrë përsipër koston se pse ndodhin këto skandale, me popullin, përpiqet ta mbyllë fare e të mos lejojë njerëz të bëjnë më skandale në TikTok. E pse? Se i merr vëmendjen nga qeveria dhe i bëhet kosto, i bëhet një barrë qeverisë se i duhet të japë shpjegime që pse nuk ka kontroll mbi platformën.
Tani, populli është popull. Edhe dikur kur nuk kishte TikTok, ulej në kohën e komunizmit tek bulevardi dhe hanin fara. Nuk është se po nuk ndenjën në TikTok do shkojnë në bibliotekë e do bëhen elitë, popull do mbetet.
Çështja është a mundëson TikTok, për shkak se nuk ka filtra të gjuhës së urrejtjes, gjuhës së dhunës, apo të sendeve, objekteve që paraqiten aty si rrjetet e tjera sociale që i ndalojnë ato, e këtu duhet bërë investigimi.
Dakord jemi që liria e shprehjes, por pse liria e shprehjes duhet ta aplikojmë në TikTok? Kushtetuta e garanton lirinë e shprehjes në botën reale, jo në botën virtuale. Në botën virtuale nuk ka ndonjë vlerë ka apo s’ka liri shprehje.
Në parim partitë e reja do akuzojnë qeverinë për çdo gjë. Unë nuk shoh asgjë të keqe që njerëzit të bëjnë fushatë në TikTok siç bëjnë në jetën reale, por nuk e shoh serioze që ti të mendosh se ty po ta mbyll qeveria se ka hall se do fitosh. Të gjitha projeksionet nuk e tregojnë këtë. Nëse qeveria sheh se rritet në sondazhe partia “x”, e vogël, apo “y”, “Lëvizja Bashkë” apo “Nisma Thurje” rritet për shkak të TikTok dhe shkon në sondazhe nga 2% në 6%, po do kishte logjikë që të thuash është sulm i drejtpërdrejtë.