Mijëra afganë janë grumbulluar të hënën në aeroportin e Kabulit në përpjeke për t’u larguar nga vendi, pasi talebanët morën pushtetin.
Forcat amerikane në aeroport u detyruan të qëllonin në ajër për të rivendosur qetësinë.
Talebanët hynë në Kabul të dielën në mëngjes, pasi pushtuan qytetet më të mëdha të vendit në një fushatë të shpejtë dy javore, mes tërheqjes së diskutueshme të trupave amerikane dhe perëndimore nga Afganistani.
Ndalohen fluturimet në aeroportin e Kabulit
Të gjitha fluturimet ushtarake dhe civile brenda dhe jashtë aeroportit të Kabulit janë ndaluar, ka thënë një zëdhënës i Pentagonit.
Është e paqartë se kur do të rifillojnë. Trupat amerikane po punojnë aktualisht për të siguruar aeroportin.
Ndërhyrja e ushtarëve amerikanë për të zgjidhur situatën e krijuar, rezultoi me vrasjen e dy personave të armatosur.
Pamjet tregojnë skena dramatike në aeroportin e Kabulit
Pamjet e publikuara nga mediat në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit treguan skena dramatike, ndërsa afganët e frikësuar përpiqeshin të largoheshin nga vendi.
Dy burra të armatosur u vranë nga ushtarët amerikanë të hënën, ndërsa tre persona raportohet të kenë vdekur, pasi ranë nga pjesa e poshtme e avionit ku ishin kapur me idenë për t’u larguar.
Turma të mëdha njerëzish janë mbledhur në aeroport që kur talebanët morën kontrollin e kryeqytetit.
Mediat raportojnë se forcat amerikane kanë qëlluar në ajër me idenë për të shpërndarë njerëzit që po përpiqeshin të hynin me forcë në aeroplanë.
Komanda Qendrore e SHBA takohet me talebanët
Kreu i Komandës Qendrore Amerikane është takuar ballë për ballë me udhëheqës të lartë talebanë për t’i kërkuar atyre që të mos ndërhyjnë në evakuimet amerikane nga aeroporti i Kabulit, tha një zyrtar i mbrojtjes amerikane për Associated Press.
Në takimin e së dielës në Doha, Katar, gjenerali Frank McKenzie arriti një marrëveshje me talebanët për të krijuar një “mekanizëm dekonfliktiviteti” – që do të thotë se talebanët nuk do të ndërhyjnë në evakuime, raportoi AP.
Forcat amerikane aktualisht janë duke punuar për të siguruar aeroportin në Kabul.
Dëshmitarët thonë se të hënën të paktën tre civilë u vranë përgjatë rrëmujave në aeroport.
Amnesty kërkon ndalimin e menjëhershëm të tragjedisë
Amnesty International i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të veprojë “me vendosmëri për të shmangur tragjedinë e mëtejshme”, pas marrjes së pushtetit nga talebanët.
“Ajo se çfarë po shohim, duke qenë dëshmitar të këtyre skenave, mund të themi se është një tragjedi që duhej të ishte parashikuar se mund të ndodhte dhe që duhej shmangur”, tha Sekretarja e Përgjithshme e organizatës, Agnes Callamard.
“Situata do të përkeqësohet edhe më tej nëse ndërkombëtarët nuk do të marrin veprime të shpejta. Mijëra qytetarë afganë janë në rrezik serioz për jetën nga hakmarrja e talebanëve, duke përfshirë akademikë, gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile, si dhe gratë që kanë mbrojtur të drejtat e njeriut. Janë të gjithë në rrezik, nëse do të braktisen dhe e ardhmja e vendit do të jetë e pasigurt”, tha Callamard.
Ajo u bëri thirrje qeverive të huaja të “marrin çdo masë të nevojshme” për të evakuuar dhe zhvendosur në mënyrë të sigurt të gjithë ata që mund të jenë në shënjestër të militantëve.
Callamard, u kërkoi Shteteve të Bashkuara të forcojnë sigurinë në aeroport, pasi gjatë ditës së sotme, ngjarjet që u zhvilluan ishin tepër dramatike dhe të dhimbshme.
Avioni ushtarak afgan u rrëzua në Uzbekistan
Ministria e mbrojtjes në Uzbekistan thotë se forcat e saj të mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar një avion ushtarak afgan, pasi kaloi pa leje në kufirin e tyre.
Një zëdhënës i ministrisë tha se avioni ishte përpjekur të kalonte ilegalisht në hapësirën ajrore të vendit të Azisë Qendrore.
Ai nuk tha se sa njerëz ishin në bord apo nëse kishte ndonjë të mbijetuar.



