Ndarja nga jeta e eruditit Moikom Zeqo, porositë që u la familjarëve. Veprat e fundit dhe shqetësimi për krijimtarinë e tij letrare

ANILA DEDAJ/ Agimi erdhi i ndrojtur e kokulur mëngjesn e 15 qershorit prej lajmit të hidhur që mbartte nga nata e kobshme. Sëmundja e leucemisë akute rrëmbeu fizikisht në moshën 71-vjeçare një nga dijetarët më të mëdhenj që Shqipëria pati njohur gjatë shekullit të fundit.

Moikom Zeqo me bashkëshorten, Lida
Moikom Zeqo me bashkëshorten, Lida

Miq e të njohur e quajnë “enciklopedia Moikom Zeqo”, teksa i japin lamtumirën shkrimtarit, arkeologut, studiuesit të historisë, piktorit, mendimtarit, ish-politikanit, njeriut që me ekzistencën e tij sfidoi çdo dimension të vdekjes. “I armatosur” me njohuri dhe kulturë të gjithanshme, eruditi Moikom Zeqo krijoi përmes veprës së tij, të pakrahasueshme me të tjera, djepin e përjetësisë. Poliedriku u shua edhe pranë i gjendej bashkëshortja, Lida. Ndonëse largimi i tij ishte i papritur, amanetet për familjarët, siç ajo tregon, i pati lënë disa muaj më parë, gjatë një përballjeje të ashpër me sëmundjen në Pavijonin e Hematologjisë së spitalit “Nënë Tereza”, ku pati menduar se sëmundja do ta mposhtte. Ndër porositë e tjera që la për Lidën, djalin dhe dy vajzat e tij, shkrimtari ka kërkuar që banesa e tij e fundit të ishte në Tiranë, ndërsa homazhet t’i bëheshin në Muzeun Historik Kombëtar, institucion të cilin e drejtoi për disa vite (1998-2006).

FJALËT E ZEQOS: “NUK KAM MË KOHË PËR VEPRA TË REJA”.

“Proza e Moikom Zeqos është një prozë e madhe, e nivelit të Umberto Eco-s”, thoshte Dritëro Agolli, i vetëdijshëm se me Zeqon e “ndikimeve hermetike” Shqipëria shënonte që në vitet e kahershme shkrimtarin e së ardhmes. Po aq i vetëdijshëm për stilin e tij unik e të pakonkurrueshëm në poezi e prozë, “që shqetëson e grish imituesit e epigonët”, qe edhe vetë poliedriku. Ndoshta edhe për këtë, fati i krijimtarisë së tij përbënte një nga shqetësimet e tij të mëdha, edhe në këto kohë të vështira. Vitet e fundit, krahas veprave të reja, si “Shitja e hënës”, “Traktati i pikturës së Leonardo da Vinçit” etj., ai pati nisur të përmblidhte dorëshkrimet e tij të hershme, nga “Laboratori i ëndrrës” te përmbledhja më e fundit me poezi “Fata Morgana”, të cilën e përgatiti gjatë kohës së vetizolimit e që do ta plotësonte shumë shpejt me botimin e jetës “Kështu foli Mona Liza”, por që nuk e arriti dot. “Gjatë kohës së ngujimit, duke mos dalë jashtë shtëpisë, u mora me lexime, më saktë me rilexime dhe me sistemimin e arkivit vetjak. Një shtatëdhjetëvjeçar si unë e ka të vetëkuptueshme një ritual të tillë, që është edhe një lloj karme budiste dhe rikonceptimi intim dhe shpirtëror”, do të shprehej për lexuesin, duke rrëfyer me gjysmë zëri, se “tanimë nuk kam më kohë për vepra të reja”.

DITËT E FUNDIT TË POLIEDRIKUT

Më 3 qershor Moikom Zeqo shënoi datëlindjen e 71-të. “Asnjëherë nuk e kisha menduar se do të jetoja kaq gjatë”, përsëriste vazhdimisht. Gjatë izolimit, i përfshirë nga entuziazmi që po i “dilte për Zot” arkivit të tij, që të mos shënonin një tjetër rast si ai i dorëshkrimeve të Mallarmes apo Pessoas, që, pas shuarjes së krijuesve, endeshin sa te familjarë e te studiues pa gjetur “shtratin” e tyre, dukej sikur sëmundjen e kishte vënë në gjumë. “Kam qenë mirë këto kohë të ngujimit”, më rrëfente teksa fliste për përmbledhjen më të fundit poetike, atë të “Fata Morganas”, me dy cikle poezish të shkruara gjatë viteve 1973 dhe 1993, ku siç ai shprehet “mungojnë 20 vjet të ‘harrimit’ të poezisë”. Mirëpo sëmundja gjatë javës së fundit do të rizgjohej dhunshëm. Temperatura e lartë, që do ta shoqëronte gjatë ditëve të para të shtrimit në spital, ishte një shenjë ogurzezë. Muret e spitalit bëheshin më të ngushta me kurat që trupi fatkeqësisht s’po ia pranonte më e që dalëngadalë po i “sulmonin” organet. Ndonëse, në komunikim të vazhdueshëm, bashkëshortja e tij, Lida Miraj, që u kujdes për të në këto ditë të vështira, shprehte shqetësimin për gjendjen e rënduar. Shpresa se do t’ia dilte nuk e kishte braktisur, derisa mëngjesin e djeshëm, e pikëlluar, jep lajmin e hidhur: “E paimagjinueshme, Moikomi na la”.

KRIJIMTARIA, MBI 100 VEPRA

Moikom Zeqo, është autori i mbi 100 veprave, ku përfshihen përmbledhje me poezi, prozë, studime arkeologjike, libra për historinë e artit, monografi personalitetesh, si dhe disa skenarë për filma kinematografikë e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, serbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht, si dhe në gjuhën tonë. Është autor i pesë ekspozitave vetjake në pikturë, si dhe i një albumi me 200 grafika. Mbante titullin “doktor i shkencave”, si dhe Urdhrin e Lartë “Mjeshtri i madh” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

 

 

 

 

 

 

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme