Ndërlikimet që shkakton mpiksja e gjakut

Mpiksja e gjakut është një problematikë e shpeshtë shëndetësore për të cilën duhet të marrim kujdes të specializuar mjekësore sa më herët që të jetë e mundur.

Kjo për shkak të ndërlikimeve serioze që kjo gjendje mund të shkaktojë në shëndetin tonë. Janë një sërë faktorësh që ndikojnë në mpiksjen e gjakut, një pjesë e të cilëve edhe mund të mbahen nën kontroll, nëse tregohemi të kujdesshëm veçanërisht me stilin e jetesës që zgjedhim të ndjekim gjatë përditshmërisë.

Mjekja Ilda Xhelili tregon për lexuesit e “Ditës”, se pse ndodh mpiksja e gjakut, ndërlikimet që shkakton, shenjat dalluese, rastet në të cilat duhet ta konsiderojmë si urgjencë mjekësore, si dhe masat që duhet të marrim për ta parandaluar.

Çfarë është një mpiksje gjaku?

Një mpiksje gjaku është një grumbull qelizash dhe proteinash në gjakun tonë. Ajo ndihmon në gjakderdhjen e ngadaltë kur lëndohemi (në plagë të shkaktuara nga prerje kryesisht) dhe shpërndahet ndërsa plaga shërohet. Por, nëse shpërndarja nuk ndodh, ose nëse mpiksja formohet kur nuk është e nevojshme mund të bllokojë pjesërisht, ose plotësisht një enë gjaku, çka mund të çojë më pas në ndërlikime.

Konkretisht, cilat janë ndërlikimet që mund të sjellë në organizmin tonë mpiksja e gjakut?

Një mpiksje e papritur e gjaku mund të çojë në probleme serioze, madje deri në pasoja fatale për jetën. Kur bllokohet një arterie nga një mpiksje gjaku mund të shkaktojë sulm në zemër, ose një goditje në tru (në varësi nga arteria e bllokuar).

Një ndër llojet më problematike dhe që shkakton komplikacione është bllokimi i arterieve të ndryshme në mushkëri (tromboembolia pulmonare). Nëse mpiksja ndodh në venat sipërfaqësore te trupit, atëherë dhimbja dhe enjtja (edema) janë mjaft të dukshme. Një mpiksje e thellë e venave të trupit quhet trombozë e venave të thella.

Cila grupmoshë është më e rrezikuar nga mpiksja e gjakut?

Mpiksjet e gjakut si në vena, ashtu edhe në arterie mund të ndodhin në çdo moshë por më të zakonshme janë mbi moshën 60 vjeç pra kur edhe shanset për të pasur probleme shëndetësore janë më të rritura.

Cilët janë faktorët predispozues të një mpiksjeje gjaku ?

Pra, sikundër e përmendëm edhe më lart, mosha e rritur konsiderohet si faktor rreziku. Të predispozuar janë gjithashtu edhe personat që vuajnë nga diabeti dhe dyslipidemia (çrregullimet e yndyrave), pasi të dyja këto patologji shoqërohen me dëmtime të enëve të gjakut, gjë e cila rrit shanset e formimit të koagulave (masave të mpiksura të gjakut). Po ashtu edhe obeziteti (mbipesha) konsiderohet si një faktor rreziku.

Kujdes i veçantë duhet treguar pas ndërhyrjeve kirurgjikale, të cilat e përmbajnë rrezikun e mpiksjeve të gjakut pasi ato shoqërohen me gjakderdhje dhe plagë që duhet të shërohen. Prandaj zakonisht pacientët për një periudhe të caktuar kohore marrin terapi të veçantë kundër mpiksjes së gjakut.

Në varësi të ndërhyrjes kirurgjikale dhe të situatës individuale shëndetësore duhet treguar kujdes edhe për kohën e qëndrimit të pacientit në regjim shtrati. Pacientët duhet të mobilizohen sa më shpejt që të jetë e mundur. I njëjti kujdes duhet treguar edhe për pacientët që kanë fraktura të ndryshme (thyerje të kockave) dhe që u duhet të qëndrojnë gjatë në regjim shtrati.

Edhe në rastet e rupturave muskulare (këputja e fijeve muskulare) ekziston rreziku i mpiksjes së gjakut për shkak të hemorragjisë së grumbulluar. Ndër moshat e reja, më të rrezikuara janë gratë në periudhën pas lindjes (lehonisë), derisa uterusi (mitra) të tkurret në përmasat e mëparshme dhe gjakderdhja të pushojë. Kjo është një fazë mjaft delikate në jetën e gruas që kërkon një kujdes të veçantë.

Cilat janë shenjat kryesore klinike që flasin për një mpiksje të mundshme të gjakut?

Kur një mpiksje e gjakut ngadalëson, ose ndalon rrjedhjen e gjakut atëherë ajo do të shkaktojë fryrje të enës së gjakut. Nëse kjo ndodh në këmbë, zakonisht është shenjë e trombozës së venave të thella të këmbës. Por kjo mund të ndodhë gjithashtu edhe tek krahët, ose në zonën e barkut.

Edhe nëse mpiksja largohet, në rreth 25 për qind të rasteve mbetet prezente dhimbja, edema (enjtja) madje edhe plagë, si rezultat i dëmtimit të enëve të gjakut (në rastin e mpiksjeve sipërfaqësore kryesisht). Një shenjë tjetër sinjifikante është ndryshimi i ngjyrës së lëkurës. Nëse një mpiksje ndodh në venat e këmbës, ose të krahut, atëherë mund të kemi ndryshime të ngjyrës në këto zona si të kaltër në të kuqërremtë (zianotike).

Në rastin e një embolie pulmonare (pra një mpiksje që ndodh në mushkëri), pacienti në përgjithësi paraqet një ngjyrë të zbehtë, të kaltër të çelët. Shenjë tjetër e rëndësishme është dhimbja.

Një mpiksje gjaku zakonisht dhemb aty ku është formuar (për shembull në këmbë, në krahë, në zonën e stomakut, të qafës, në zonën e zemrës siç ndodh në rastin e infarktit), por mund të ndodhë që mpiksja e gjakut e formuar diku lëviz me rrymën e gjakut, zmadhohet rrugës dhe ngec diku siç është rasti i embolisë pulmonare, gjatë të cilës pacienti përjeton dhimbje të forta dhe të papritura në zonën e kraharorit.

Kur dhimbjet shfaqen në kraharor, a duhen konsideruar si urgjenca?

Dhimbjet e kraharorit në përgjithësi konsiderohen urgjenca mjekësore që kërkojnë ndërhyrje të shpeshta (infarkti i miokardit, embolia pulmonare, ruptura e aortës). Në këto raste pacienti duhet të marrë sa më shpejt që të jetë e mundur ndihmën e specializuar mjekësore për të shmangur pasojat e rënda për jetën.

Çfarë simptomash të tjera duhet të tërheqin vëmendjen për mpiksje të gjakut?

Një simptomë serioze është çrregullimi i ritmit të frymëmarrjes. Kjo mund të jetë shenje e mpiksjes së gjakut në mushkëri, ose në zemër. Mund të jetë edhe si shenjë e vetme klinike, por zakonisht shoqërohet me dhimbjen e kraharorit që mund të përhapet në drejtim të shpatullave, krahut të majtë ose nofullës së poshtme. Mund të shoqërohet edhe me dobësi të përgjithshme, këputje dhe djersë të ftohta.

Nga mpiksja e gjakut mund të preken edhe enët e gjakut që furnizojnë trurin. Në rast se kemi një bllokim të rrjedhjes së gjakut në tru, brenda disa minutash qelizat e trurit do të vdesin nga mungesa e oksigjenit. Një mpiksje gjaku në tru (në varësi të enës së bllokuar) mund të shkaktojë dhimbje koke, konfuzion, probleme me të folurën, dobësi në të gjithë trupin ose vetëm në njërën gjysmë të trupit.

Në rastin e mpiksjeve të venave renale (të veshkave) mungojnë simptomat e fillimit pasi procesi këtu ndodh ngadalë. Shenjat klinike në këto raste përfshijnë të vjella, të përziera dhe gjendje ethore.

Është shumë e rëndësishme që të ritheksoj edhe njëherë se një mpiksje gjaku përbën urgjencë mjekësore që mund të kërkojë edhe ndërhyrje kirurgjikale, prandaj duhet të paraqiteni sa më shpejt në shërbimin e urgjencës për të bërë diagnozën diferenciale dhe për të marrë ndihmën e duhur dhe në kohën e duhur.

Çfarë masash mund të marrim për të parandaluar mpiksjen e gjakut?

Disa këshilla të thjeshta mund të shërbejnë shumë për të ulur shanset që të ndodhë një mpiksje gjaku në trupin tuaj. Së pari mbani një peshë të shëndetshme dhe kryeni aktivitet të rregullt fizik, qoftë edhe ecje në formën e shëtitjes. Pas operacioneve mundohuni të kryeni lëvizje dhe të ngriheni sa më shpejt që të jetë e mundur nga ana shëndetësore.

Shmangni qëndrimet e gjata ulur dhe nëse nuk është e mundur çdo dy ore bëni 10 minuta ecje dhe lëvizje të këmbëve. Rekomandohen edhe pushimet e shkurta me këmbët e ngritura mbi nivelin e trupit (me një jastëk).

Kontrolloni nëse çorapet, ose teshat e ngushta mund të ndikojnë në rrjedhjen e gjakut. Gjithmonë janë më të përshtatshme veshjet e lirshme. Mbani në kontroll tensionin e gjakut, nivelin e sheqerit dhe të yndyrave në gjakun tuaj/Dita.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme