LEXO EDHE:
Gazetar: Mefail Ismaili
Sektori i Pylltarisë në vend po ballafaqohet me mungesën e kuadrit. Nga “Pyjet Kombëtare”, thonë se për momentin funksionojnë me numër shumë më të vogël të të punësuarve. Mungojnë inxhinierë të pyjeve, roje, teknik.
“Na mungojnë nga 80 deri në 100 roje të pyjeve për ti plotësuar vendet për të qenë në nivel me atë që është nevojë e ndërmarrjes në aspekt të përkujdesjes dhe mbrojtjes së pyjeve. Për shkak se ata nuk i mbrojnë pyjet vetëm nga prerja në të zezë, por kemi edhe sëmundje biologjike, qarkullim në pyll, mbrojtje nga zjarret e kështu me radhë, andaj këto njerëz i kemi të nevojshëm në terren”, deklaroi Juliana Nikollova, drejtore e N.P. “Pyjet Kombëtare”.
Ndërsa ndërmarrja e Pyjeve ankohet për mungesë kuadrit, të dhënat e Agjencisë së punësimit vënë në dukje se 72 inxhinierë të diplomuar në sfera të ndryshme të pylltarisë janë të regjistruar si të papunë.
“Një inxhinier i diplomuar për Arkitekturë dhe dizajn të pejsazhit, një inxhinier për shfrytëzim të pyjeve dhe një inxhinier për teknolog mekanik të drurit. Tre inxhinierë të diplomuar në sferën për Projektimin dhe teknologjinë e mobiljeve dhe interierit si tre në degën për Dizajnim të pejsazhit. Tetë inxhinierë të diplomuar për gjelbërimin dhe avancimin e mjedisit jetësor, 11 inxhinierë për pylltari, 17 inxhinierë për industri të drurit dhe 27 inxhinierë të diplomuar për pylltari”, njoftojnë nga Agjencia e Punësimit.
Për inxhinierë të papunë që kanë diplomuar në degët e pylltarisë flet edhe dekani i fakultetit të Pylltarisë, Kirill Sotirovski. Ai për Alsat thotë se njeh shumë studentë që kanë diplomuar dhe janë të papunë ose po janë punësuar në profesione të tjera. Profesori Sotirovski thotë se lënia pas dore e Sektorit të pylltarisë nga ana e shtetit, ka ndikuar edhe në rënien e interesit të të rinjve për të studiuar në degët e saj.
“Për fat të keq për shumë vite presin inxhinier të diplomuar të pylltarisë, shumë prej tyre nuk punësohen në sektor, të gjithë diturinë që e kanë marrë lidhur me pylltarinë, arkitekturën e peizazhit ose inxhinieri sepse ka tre degë, mbetet e p shfrytëzuar… Kuptohet se do të jetë më i vogël numri i fëmijëve të interesuar, të gatshëm për të humbur 4-5 vite studime serioze e të mos kenë siguri për punësim, ose edhe nëse janë të sigurt se do të punësohen për shkak të lidhjeve familjare ose bizneseve familjare, nuk kanë garanci se do të fitojnë më tepër se ajo që është e arsyeshme”, u shpreh Kirill Sotirovski, dekan i Fakultetit të Pylltarisë.
Profesori Sotirovski thotë se problemi në sektorin e pylltarisë në vend është sistematik dhe institucionet duhet të gjejnë zgjidhje urgjente. /Alsat.mk