Gazetar: Miki Trajkovski
Rritja e mëtejshme e çmimeve të karburanteve do ta bëjë të pamundur shërbimin efikas të ndërmarrjeve publike komunale, siç është transporti i mbeturinave në deponitë ekzistuese. Ndërmarrjet ankohen se rritja e çmimeve ka filluar të ndihet në punën e tyre, pasi në nivel mujor shpenzojnë disa tonë karburant.
“Në Ohër deponia është shumë larg qytetit dhe shpenzimet për nxjerrjen e mbeturinave janë shumë më të larta pikërisht për shkak të largësisë më të madhe. Të tilla janë edhe në disa qytete të tjera në Maqedoni. Mendoj se nuk do të jemi të kursyer nga e gjithë kjo situatë dhe duhet të ndërhyjmë që ndërmarrjet publike të mos ndalojnë në pjesën e veprimtarive të tyre bazë, siç janë nxjerrja e mbeturinave, pastrimi dhe higjiena publike,” deklaroi Goce Angellovski – anëtar i Këshillit Drejtues të ADKOM – Shoqata e ofruesve të shërbimeve komunale.
“Është e qartë se rritja e çmimeve të derivateve bazë të naftës do të ndikojë. Kjo do të tërheqë pasoja të tjera, pra do të ndikojë në punën e përditshme, sepse në pjesën e shërbimeve komunale, nafta është një nga shpenzimet kryesore që kemi,” tha Goran Stepanoski – drejtor i NP “Higjiena Komunale”, Manastir.
Kërkojnë ndihmë nga shtetit, përkatësisht të gjenden mekanizma me të cilët do të ndërhyhet tek ndërmarrjet publike që të mund ta përballojnë situatën.
“Kjo rritje e çmimit do të ndikojë edhe në shpenzimet tona për konsum të karburantit. Të shohim si do të zhvillohen ngjarjet, nëse është afatshkurtër nuk do të ketë shumë probleme të mëdha, por nëse ky trend vazhdon më tej, pra nëse është afatgjatë, atëherë do të reflektohet mbi punën e ndërmarrjes publike. Ne në nivel mujor shpenzojmë rreth 1 ton karburant,” tha Marjan Risteski – drejtor i “Ujësjellësit”- Ohër,
Për momentin nuk planifikohet rritje e faturave për qytetarët, por gjithçka do të varet nga zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjeve dhe rritja e çmimeve të derivateve të naftës. /Alsat.mk



