Ndërprerja e gazit rus nuk rrezikon furnizimin me rrymë në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia e Veriut po vazhdon të furnizohet me gaz natyror rus nga Bullgaria

Drejtori i Resurseve Energjetike Nacionale, Bajram Rexhepi. Megjithatë, ai thotë se deri kur do të vazhdojë furnizimi me këtë produkt, do të varet nga vendimi i autoriteteve ruse në ditët në vijim.

Kompania ruse e energjisë, Gazprom, njoftoi më 27 prill se ka ndërprerë plotësisht furnizimet me gaz për Bullgarinë dhe Poloninë për shkak të mungesës së pagesës me rubla për gazin rus.

Maqedonia e Veriut importon 8 për qind të derivateve të naftës me origjinë nga Rusia.

Rexhepi thekson se nëse ndërpritet furnizimi me gaz, atëherë dëme do të pësojë industria e çelikut, kompanitë në zonat industriale, centrali i gazit TETO dhe ngrohtoret që prodhojnë energji termike nga të cilat furnizohen shumë institucione publike në Shkup.

“Nëse do të kemi një ndërprerje të menjëhershme problemi më akut do të jetë në industrinë e metaleve si dhe në Zonën Ekonomike në Shkup. Në këtë rast nuk mund të gjejmë një zgjidhje të shpejtë. Sigurisht se ata do të duhet të adaptojnë sistemet e tyre për të shfrytëzuar resurse të tjera të energjisë”, thotë Rexhepi.

“Problemi i dytë do të paraqitet në centralin me gaz TETO, që është shfrytëzuesi më i madh i gazit natyror në Maqedoninë e Veriut, pasi nga 426 milionë metër kub gaz sa janë harxhuar në vend gjatë vitit të kaluar, rreth 360 milionë kub janë harxhuar për centralin e gazit TETO. Dhe problemi i tretë do të paraqitet me ngrohtoret në Shkup, pasi shumica e tyre janë të varura nga gazi edhe atë kanë harxhuar rreth 66 milionë metër kub”, shton Rexhepi.

Megjithatë, Rexhepi thotë se qytetarët në Maqedoninë e Veriut duhet të jenë të qetë sepse sipas tij, nuk do të ketë mungesë të energjisë elektrike pasi do të vihen në funksion të gjitha kapacitet për prodhimin e energjisë elektrike.

Drejtori i Resurseve Energjetike Nacionale, Bajram Rexhepi, thotë se është paradoksale që të ndërpritet furnizimi me gaz rus në centralin e gazit TETO në Shkup, i cili menaxhohet nga pronarë nga Federata Ruse.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Kroacia, furnizohen përmes projektit “Rrjedha Turke”.

Gazsjellësi “Rrjedha Turke” është pjesë e ambicieve afatgjata të Rusisë për të minimizuar transportin e gazit përmes Ukrainës dhe për të ofruar alternativë për gazsjellësit “Rrjedha Veriore 1 dhe 2”. Ky gazsjellës sjellë gazin nga Rusia në Turqi, dhe më pas përmes Bullgarisë dërgohet në shtetet e Ballkanit, por edhe në Hungari.

Maqedonia e Veriut përdor gazin rus që nga viti 1997. Gjatë vitit 2021 janë harxhuar rreth 400 milionë metër kub gaz, ose gjysma e kapacitetit të gazsjellësit. Në Maqedoninë e Veriut për një banor shfrytëzohen 200 metra kub gaz, apo shtatë herë më pak se në Gjermani.

Por, pavarësisht se Shkupi zyrtar importon pak gaz rus, Rexhepi thotë se po punohet me intensitet për krijimin e alternativave nëse do të ketë mungesë të furnizimit me këtë produkt nga Bullgaria.

“Ka dy alternativa. E para është që të mund të lëshohet interkoneksioni me Greqinë, prej ku mund të sigurojmë kapacitete të nevojshme, që janë diku 80 milionë metër kub, sasi e mjaftueshme për ngrohtoret në Shkup në mënyrë që të mos kemi ndërprerje të energjisë termike. Nëse nuk arrihet kjo, ne edhe ashtu jemi në negociata dhe komunikim të vazhdueshëm me të gjithë partnerët tonë rajonalë, por edhe më gjerë, që të gjendet një zgjidhje e tillë. Por, nëse nuk gjendet zgjidhje për ngrohtoret, alternativë mbetet shfrytëzimi i mazutit, por kjo alternativë mbetet si mundësi e fundit, pasi shfrytëzimi i mazutit nuk është ekologjik”, thotë ai.

Pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se “shtetet jomiqësore” duhet të paguajnë me rubla për energjinë e Rusisë. Por, Sofja, sikurse edhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian, kanë kundërshtuar që të paguajnë me monedhën kombëtare ruse për gazin natyror.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme