Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka mirëpritur vendimin e Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK) për pezullimin e grevës.
“Duke u nisur nga urgjenca për mbrojtjen e interesit publik të qytetarëve, të drejtës për arsimim dhe pasojave që mund të ndodhin në rast të ndërprerjes së këtij procesi, si dhe duke marrë parasysh kërkesat e SASHK-ut, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vepruar në në përputhje me Ligjin për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve të punës dhe sot i ka dërguar kërkesë Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale për caktimin e pajtuesit në këtë proces. Me këtë vendim, Ministria e Arsimit dhe Shkencës shpreh gatishmërinë për vazhdimin e procesit të negociatave me partnerët social dhe gjetjen e zgjidhjes më të mirë për të gjithë në këtë rast”, thuhet në njoftimin e MASH.
Vendimi i SASHK-ut, siç thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, është në interes të nxënësve dhe vazhdimësisë së procesit arsimor dhe siguron të drejtën e garantuar me Kushtetutë për arsimim të fëmijëve.