Në kulmin e sezonit turistik, zona turistike e Borshit në jug të vendit po përballet me probleme serioze në furnizimin me energji elektrike.
Pushuesit raportojnë se energjia elektrike është ndërprerë që mbrëmjen e kaluar, rreth orës 22:00, ndërsa rikthimi i saj ka qenë me ndërprerje të shpeshta gjatë gjithë natës dhe mëngjesit të sotëm. Mungesa e dritave ka shkaktuar shqetësim tek turistët dhe bizneset lokale, të cilat po punojnë me kapacitet të plotë në këtë periudhë.
Mësohet se shkak për këto ndërprerje është bërë rënia e një përforcuesi si dhe ngarkesa e lartë në njësinë furnizuese të Qeparosë, duke rënduar më tej situatën në sistemin energjetik të zonës.
Banorët dhe operatorët turistikë kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të mos dëmtuar imazhin e sezonit turistik dhe për të garantuar kushtet minimale të shërbimit për pushuesit vendas dhe të huaj.



