Ndërtimi i digës në fshatrat Runicë dhe Sllupçan është lënë në harresë

Gazetar: Zekirija Haxhiu

“Prej këndej, nga kjo ana tjetër ku është gurorja, e kanë shpuar deri lart. Se sa e trashë do të bëhet nuk e di por lartësia diku 40 metra”, tha Banor i Sllupçanit.

Kjo është rruga lokale në Sllupçan e cila të dërgon për në fshatin Runicë të Likovës, zonë ku është paraparë të ndërtohet digë e re. Kjo digë ka për qëllim furnizimin e fshatit me ujë të pijshëm dhe ujë për ujitje të tokave. Gjatësia e saj mund të shkojë deri në 1km. Banorët e Sllupçanit mezi e presin këtë pendë, por megjithatë, nuk do ta pranojnë me çdo kusht. Duan që një pjesë e ujit, të rrjedhë për lumin që kalon përmes fshatit.

“Para se me e nisë, ne të gjithë jemi me qëndrim të njëjtë, i gjithë fshati me pesë mijë banorë, do të dalim dhe do t’i kërkojmë kushtet e tona. Për çfarë do të bëhet kjo? Se thuhet se si rezervë do të qëndrojë për digat tjera në Likovë e kjo me motorë e nuk e di me çka, sigurisht me motorë elektrik e dërgojnë atje që të ketë rezervë. Por siç flasin, asnjëherë nuk punohet”, tha një banor i Sllupçanit.

“Po ka 15 vite që premtojnë, deri tash asgjë nuk është bërë. Tani në të ardhmen së paku të bëhet për të rinjtë, për gjeneratat e ardhshme. Kemi dëshirë sa më shpejtë të bëhet që të kemi ujë. Komuna e gjitha është nën ujë, e ujë nuk ka”, shtoi një tjetër banor.

Para tre viteve është bërë studim fizibiliteti dhe inspektimi i kushteve për ndërtimin e digës, por qe tre vite nuk është punuar asgjë. Siç njofton zëvendësministri i Bujqësisë, Flakron Bexheti ky projekt nuk pritet të fillojë as sivjet pasi nuk ka para.

“Në këtë fazë çështja e buxhetit dhe financimit është problematike, duke ditur se kemi shkurtimin e buxhetit, por unë shpresoj që në rebalancin e buxhetit ne ta ngremë këtë çështje sepse është i rëndësishëm si projekt për banorët e asaj pjese ku do të bëhet akumulimi i ujit”, u shpreh Flakron Bexheti – Zv.ministër i Bujqësisë.

Me ndërtimin e digës do të duhet të ndërtohet rrugë tjetër lokale për në fshatin Runicë, gjë për të cilën siç na njoftoi kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi është dhënë leje. Për ndërtimin e digës, duhet të merret leje nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Për këtë projekt, Qeveria në seancën e mbajtur më 06.10.2020 kishte miratuar informacionin për marrjen e lejes nga Qeveria për zbatimin e procedurës për furnizim disa vjeçar dhe mbi këqyrje të punimeve. Punimet duhej të zgjasnin katër vjet ndërsa ishin paraparë 22 milion euro buxhet./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme