Gazetar: Suad Bajrami
Pavarësisht rezultatit negativ, ndeshja mes Shkëndijës dhe Karabagut kaloi në një atmosferë impozante dhe pa asnjë incident. Mbi 20 mijë shikues, mbrëmë ishin të pranishëm në tribunat e stadiumit të Shkupit të cilit kishin ardhur nga tërë Maqedonia për t’i dhënë mbështetje klubit të zemrës.
Për shkak të incidentit paraprak në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë më 2 gusht, siguria në këtë ndeshje ishte në nivel të lartë. Policia, në hyrjet e stadiumit kryente kontrolle sa i përket materialeve dhe gjësendeve që shikuesit kishin me vete.
Tifo grupi “Ballistët” i cili kishte ardhur nga Tetova me përcjellje policore, në stadium hyri gjysmë orë pas fillimit zyrtar të ndeshjes, ndërsa qindra prej tyre mbetën jashtë. Sipas Ballistëve, arsyetimi ishte se janë harxhuar biletat.
Krahas qytetarëve, ndeshjen nga tribunat e ndoqën edhe politikanët. Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, ishte në shoqëri të zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti e ministrit të Ekonomisë Besar Durmishi. Ndërsa kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, ndoqi ndeshjen në krah të bashkëpunëtorit më të ri politik, Arben Taravari.
Nëpër rrjete sociale, u publikuan video të shkurtra ku disa prej tifozëve kanë brohoritur “Iliridë”. Policia menjëherë është vënë në lëvizje në bashkëpunim me organin e akuzës për të hetuar rastin.
“SPB Shkup në bazë të materialit të filmuar dhe të dokumentar ndërmerr masa në koordinim me prokurorin përkatës”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Alsat, mëson se pak para fillimit të ndeshjes së mbrëmshme, në afërsi të Kopshtit Zoologjik në Bulevardin Ilinden është arrestuar një 38-vjeçar nga Gjermania me inicialet M.M. lidhur me veprën penale “Nxitje të urrejtjes, përçarjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”, pasi që duke drejtuar një motoçikletë në pjesën e pasme të motorit ka vendosur flamurin kuq e zi me mbishkrimin “Autochthonous” dhe fotografi nga harta e “Shqipërisë së Madhe”. /Alsat.mk



