Ndihmoi Marklen Hakën të fshihej në banesën e tij, Gjykata merr vendim për 21-vjeçarin

Gjykata e Tiranës ka vënë në pranga 21-vjeçarin, Klajdi Haka, i cili akuzohet se mbajti të strehuar në banesë të fortin e Niklës, Marklen Haka. 

Klajdi Haka, banues në Zezë të Niklës akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 21-vjeçarit u gjet dhe sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë.

“Në vijim të operacionit policor të koduar “Liqeni i Bacungut”, të dhënë ditën e djeshme, u arrestua shtetasi K. H., 21 vjeç, banues në Zezë, Nikël, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga nenet 278/4 dhe 302 të Kodit Penal.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit K. H., (banesa ku fshihej shtetasi M. H., alias M. A.) është gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë”, njoftoi policia.

Ndërkohë Marklen Haka, i cili doli ditën e djeshme (8 Shtator) para togave të zeza të GJKKO-së, ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij.

“Nuk kam përdorur Sky” i ka thënë gjykatës, i riu nga Nikla, për të cilin RENEA organizoi një operacion topsekret për ta vendosur në pranga.

Përveçse mohoi përdorimin e apliakcionit të botës së krimit, ai mohoi, mbase me të drejtë, të kishte kryer atentat ndaj Durim Bamit, një tjetër personazhi fort të rëndësishëm të grupit kriminal që vepron e jeton në Nikël të Krujës.

Marklen Haka, pavarësisht pozitës mohuese për akuzat e SPAK, është lënë në burg, ndërkohë që në duart e prokurorëve të SPAK gjenden qindra mijëra faqe me biseda të nxjerra nga ky aplikacion mes eksponentëve më të fuqishëm të botës së krimit dhe jo vetëm.

Në bisedat që SPAK kërkon të mos bëhen publike gjenden mesazhe pafund mes Durim Bamit dhe Behar Bajrit për të eliminuar fizikisht Arben Ndokën, ish-deputetin e Partisë Socialiste për qarkun e Lezhës. ‘Kokën’ e Ben Ndokës nuk e kërkonte vetëm Durim Bami, por edhe Marklen Haka dhe në bisedat e zbardhura që gjenden në duart e kësaj prokurorie, shihet qartë lidhje mes Bamit dhe Hakës për të ekzekutuar Ndokën.

Vrasjen e ish-deputetit grupi i Niklës e kërkonte pasi Ndokës iu kishte vrarë vëllai në atë pritë fatale në derën e shtëpisë së tij në lagjen “Kodër Marlekaj” të Lezhës. Historitë e krimit që shfaqen në bisedat mes dy personazheve si Behar Bajri dhe Durim Bami implikojnë edhe dhjetëra persona të tjerë, mes të cilëve edhe ish-deputetë, po ashtu siç edhe del hapur intriga mes palëve, intrigë që me sa duket ka ‘mashtruar’ edhe SPAK-un se Marklen Haka donte të vriste Durim Bamin.

Megjithatë, moria e informacioneve që gjenden në ato materiale të ardhura nga Belgjika dhe Franca mbase do të bëjnë që SPAK të hedhë dritë mbi gjithçka ka ndodhur mes grupeve kriminale me mbështetje të forta jo vetëm në sistemin e drejtësisë, por edhe në politikë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme