Një 54 vjeçar shqiptar është vënë në prangat e policisë në Lushnje.
Shtetasi me inicialet G.T., i cili ishte në kërkim nga Policia e Sarandës, është vënë në pranga.
54-vjeçari ishte në kërkim pasi akuzohet për veprën penale “Ndihmë për kalim të kufirit”.
Ndërkohë, mësohet se edhe një tjetër shtetas është vënë në pranga pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në Shtëpi”
Njoftimi i Policisë:
Lushnjë/Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë kapën shtetasin e shpallur në kërkim G. T., 54 vjeç, banues në fshatin Krutje, Lushnjë, pasi është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Sarandë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Ky shtetas iu dorëzua DVP Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Divjakë/Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, kapet dhe vihet në pranga 57-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë shtetasin G. M., 57 vjeç, banues në Sulzotaj, Divjakë, pasi kishte dalë jashtë banesës, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Apelit Vlorë, e cila i kishte caktuar atij, masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.