Ndriçim Kulla: Takimi në Pogradec, një fotografi e pavullnetshme e regjimit në krizën e rënies

Nga Ndriçim Kulla

Zgjedhja e Pogradecit dhe sidomos e hapësirës së lidhur me simbolikën e pushimeve të diktatorit komunist nuk mund të shihet vetëm si një takim i zakonshëm pune, si një mbledhje ministrore apo si një ritual i zakonshëm i fillimit të një sezoni politik. Në politikë, sidomos në politikën e një pushteti që ka qëndruar gjatë dhe është në krizë të thellë rënie, vendi nuk është kurrë thjesht vend. Ai bëhet pjesë e gjuhës së pushtetit. Ai flet edhe kur askush nuk flet. Dhe pikërisht këtu fillon të marrë kuptim simbolika e kësaj vjeshte që po afrohet për Edi Ramën dhe regjimin e tij.

Sepse vjeshta që vjen nuk duket se do të jetë një nga ato stinë të zakonshme të kalendarit politik shqiptar, kur pas verës njerëzit kthehen në qytet, parlamenti hap dyert, qeveria rifillon ceremonitë e saj dhe gjithçka vazhdon me atë ritëm të rëndomtë që pushteti përpiqet ta paraqesë si normalitet. Nën sipërfaqen e kësaj qetësie të shtirur ka muaj të tërë protestash, zemërimi qytetar, akuzash politike, dosjesh korrupsioni, vjedhje zgjedhjesh, përplasjesh të vazhdueshme me drejtësinë dhe një ndjesie gjithnjë e më të përhapur se Shqipëria po jeton një nga ato periudha kur aparati i pushtetit vazhdon të funksionojë, por legjitimiteti moral i tij është aq i konsumuar sa që as propaganda, as ceremonitë dhe as spektakli nuk mund ta ndalin më. Mbi tetëdhjetë ditë protesta, të zhvilluara edhe në vapën përvëluese të gushtit mbi 40 gradë, nuk janë një episod që mund të futet lehtë në arkivin e zakonshëm të kundërshtive politike. Ato krijojnë një gjendje tjetër. Një temperaturë tjetër. Një pritje që zgjatet. Dhe çdo pushtet që ka përvojën e gjatë të administrimit të frikës e kupton se zjarri më i rrezikshëm nuk është gjithmonë ai që shpërthen menjëherë, por ai që vazhdon të digjet në heshtje, nën hirin e një vere, duke pritur stinën kur era do ta përhapë më larg.

Në këtë sfond, përsëritja e argumentit të shumicës parlamentare, e numrave dhe e formulës së njohur “kam votat, pse duhet të largohem”, tingëllon gjithnjë e më pak si shprehje sigurie dhe gjithnjë e më shumë si një fjali që duhet përsëritur vazhdimisht për të bindur jo vetëm kundërshtarët, por edhe vetë pushtetin që e shqipton. Sepse një shumicë numerike mund të jetë një fakt institucional, por nuk është gjithmonë një përgjigje për krizën morale të pushtetit. Parlamentet mund të japin numra. Votat mund të prodhojnë mazhoranca. Por asnjë shumicë nuk mund të prodhojë pafajësi dhe asnjë numër nuk mund të zëvendësojë përgjegjësinë. Pikërisht këtu fillon absurdi që kujton universin kafkian: një njeri gjendet përballë një gjykimi të madh publik, politik dhe moral, por në vend që të dalë përpara një procesi të pavarur, krijon gradualisht një hapësirë ku ai është njëkohësisht i akuzuari, gjykatësi, dëshmitari dhe shpallësi i pafajësisë së vet. Procesi vazhdon, por drejtësia e procesit zhduket. Dyshimet shtohen, por përgjigjja nuk është sqarimi. Është pushteti. Dhe sa më shumë që pyetjet bëhen të mëdha, aq më fort rikthehet argumenti i numrave, sikur 83 vota të mund të zëvendësonin një gjykim moral kur dihet se zgjedhjet janë cilësuar edhe ndërkombëtarisht jo zgjedhje të lira.

Ndoshta për këtë arsye edhe simbolika e zgjedhur merr një kuptim më të rëndë se sa mund të dukej në pamje të parë. Vila e diktatorit komunist në Pogradec nuk është vetëm një ndërtesë. Ajo i përket një sistemi kujtese që për shumë shqiptarë lidhet me një kohë kur pushteti ishte i përqendruar në një njeri, ndërsa vendi i tërë ishte i detyruar të lexonte në heshtje shenjat që vinin nga qendra. Në atë botë, diktatori mund të largohej nga Tirana, të pushonte në një vilë, të shikonte liqenin dhe të vazhdonte njëkohësisht të mbante në dorë mekanizmin e një shteti të tërë. Njerëzit e tij shkonin njëri pas tjetrit. Raportonin. Prisnin. Merrnin porosi. Dhe kthimi i tyre në Tiranë nuk ishte thjesht kthim nga një takim pune, por vazhdim i një zinxhiri komandues ku fjala e qendrës ishte gjithçka.

Kjo është me siguri arsyeja pse Pogradeci i kësaj vjeshte nuk duket si një zgjedhje e rastësishme. Në një regjim që prej vitesh ka ndërtuar një mënyrë qeverisjeje ku personaliteti i kryeministrit ka zënë gjithnjë e më shumë hapësirë se institucionet dhe është bërë si dhoma e butonave, ku komunikimi politik është përqendruar në një figurë dhe ku shumë vendime janë shndërruar në vazhdime të vullnetit të një njeriu, rikthimi te simbolika e pushtetit të dikurshëm është pothuajse një rrëshqitje e pavetëdijshme drejt origjinës së një modeli. Një udhëheqës që përballet me rënien nuk kërkon vetëm argumente. Ai kërkon skenë. Kërkon besnikë. Kërkon një rreth që të duket i pathyeshëm. Dhe mbi të gjitha kërkon të krijojë përshtypjen se jashtë këtij rrethi nuk ekziston asgjë që mund ta kërcënojë.

Edi Rama duket se ka zgjedhur edhe një herë të mos e pranojë këtë gjykim. Ai zgjedh sfidën. Sfidën ndaj protestës, ndaj opozitës, ndaj kritikëve, ndaj akuzave dhe ndaj çdo ideje se pushteti i tij ka hyrë në fazën e konsumimit të pakthyeshëm. Në këtë pikë, qëndrimi i tij bëhet më shumë se një strategji politike. Ai bëhet një mënyrë psikologjike mbijetese. Pranimi i rënies do të thotë pranimi se sistemi që është ndërtuar për shumë vite nuk është më i pathyeshëm. Dhe një njeri që ka qeverisur për një kohë të gjatë duke e vendosur veten në qendër të pothuajse çdo skene e ka shumë më të vështirë të imagjinojë skenën pa veten e tij. Prandaj vazhdon të sfidojë. Jo sepse sfida gjithmonë e shpëton, por sepse për të mund të jetë më e padurueshme ideja se pushteti mund të vazhdojë pa të.

Kjo e bën edhe më domethënës kontrastin mes dy zjarreve të kësaj vere. Njëri është zjarri real që ka djegur dhe po djeg pyje dhe hapësira të vendit, duke treguar edhe një herë pafuqinë e shtetit përballë katastrofave që kërkojnë përgjegjësi, organizim dhe ndjeshmëri njerëzore. Tjetri është zjarri politik dhe qytetar që nuk shihet nga ajri, por ndihet në rrugë, në protesta, në biseda, në lodhjen e një shoqërie që prej kohësh ka parë të njëjtin pushtet të ndryshojë vazhdimisht gjuhën e tij, por jo gjithmonë mënyrën e ushtrimit të tij. Pushteti mund të pretendojë se këto dy zjarre nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin. Por një vend që digjet, qoftë në pyje apo në ndërgjegje, kërkon gjithmonë një përgjigje më të madhe se një fotografi të qetë të udhëheqësit përballë horizontit.

Vjeshta, për këtë arsye, mund të jetë stina kur përplasja midis dy realiteteve do të bëhet më e dukshme. Nga njëra anë do të jetë pushteti që do të përpiqet të vazhdojë të prodhojë imazhin e qetësisë, të shumicës, të kontrollit dhe të vazhdimësisë. Nga ana tjetër do të jetë një kundërshtim që, nëse arrin të kapërcejë kufijtë e ritualit politik dhe të kthehet në një energji të vërtetë qytetare, mund ta bëjë gjithnjë e më të vështirë administrimin e krizës vetëm me numra, spektakle dhe mesazhe të disiplinuara nga qendra. Nuk është e thënë që çdo protestë të rrëzojë një pushtet. Historia nuk ecën sipas kalendarit të dëshirave. Por është po aq e vërtetë se rëniet e mëdha zakonisht fillojnë shumë përpara se të duken. Ato nisin në çastin kur pushteti fillon të flasë më shumë për forcën e tij sesa për përgjegjësinë e tij, kur fillon të kërkojë simbole nga e shkuara për të garantuar të ardhmen dhe kur rrethi i besnikëve bëhet më i rëndësishëm se bota që ndodhet jashtë tij.

Kështu, takimi në Pogradec mund të lexohet edhe si një fotografi e pavullnetshme e një epoke që po hyn në provën e saj më të madhe. Në qendër është njeriu që ende nuk pranon idenë e largimit. Rreth tij janë njerëzit që duhet të dëshmojnë se janë ende aty. Në sfond është kujtesa e një diktature që dikur besonte se kishte krijuar një sistem të përjetshëm. Dhe përtej kësaj skene është një vend i tërë, i cili nuk mund të futet më brenda një vile, një salle apo një ceremonie.

The post Ndriçim Kulla: Takimi në Pogradec, një fotografi e pavullnetshme e regjimit në krizën e rënies appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme