Deputetët e LDK-së nuk kanë marrë pjesë në votimin e propozimit për shmangie të procedurave të rregullta për miratim të Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Jehona Lushaku – Sadriu, deputete e LDK-së, ka thënë se lufta e UÇK-së është e shenjtë, por ka thënë se nuk mund të bëhet pjesë e kësaj nisme. Ajo u shpreh se asnjë përgjegjësi individuale nuk mund të shndërrohet në fajësi kolektive e as ta zhbëjë karakterin çlirimtar të kësaj lufte.
“Ndryshimi i një ligji të zakonshëm nuk i shfuqizon detyrimet dhe nuk mund ta anashkalojë Kushtetutën. Vet miratimit i këtyre ndryshimeve nuk garanton zbatimin e tyre e as rezultatin që u premtohet qytetarëve sot. Ndryshimet e miratuara nuk mund t’i nënshtrohet kontrollit kushtetues’, ka thënë ajo.
Sipas saj, për LDK-në rruga e vetme për të ndryshuar një aktgjykim është rruga gjyqësore, rruga e Apelit.



