Ndryshohet aktakuza, shtyhet seanca gjyqësore për vrasjen e Oliver Ivanoviq

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë sot ishte paraparë të fillonte seanca fillestare ndaj të akuzuarve në rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq, por kjo seancë u shty për datën 11 shkurt të vitit 2020 pasi që Prokuroria Speciale ka ndryshuar aktakuzën.

Kryetari i Trupit Gjykues, Valon Kurtaj qysh në hyrje të seancës njoftoi palët se më datën 27 dhjetor, saktësisht të premten e kaluar në orën 15:00 nga Prokuroria Speciale kanë pranuar një aktakuzë të re të ndryshuar në dispozitivin e aktit të partë të aktakuzës për rastin e vrasjes së Ivanoviq.

Ai tha se për shkak se e kanë pranuar vonë aktakuzën e ndryshuar nuk kanë pasur mundësi t’i njoftojnë palët, madje as ta përkthejnë aktakuzën në gjuhën serbe. Për këtë ai kërkoi nga palët mbrojtëse të tregojnë se do të vazhdojnë këtë seancë apo do të presin që aktakuza me ndryshime të përkthehet në gjuhën serbe.

Mbrojta e të akuzuarve për rastin e vrasjes së Ivanoviq patën ankesa të shumta lidhur edhe me pranimin e provave për aktakuzën e parë dhe po ashtu për mos përkthimin e aktakuzës së ndryshuar, për çka kërkuar edhe shtyrjen e seancës.

Sipas avokatit mbrojtës të akuzuarit, Marko Roshiq, Mahmut Halimi mos përkthimi në gjuhën që e kuptojnë të akuzuarit është jashtë çdo serioziteti.

Derisa avokati i të akuzuarit Nedelko Spasojeviq, Dejan Vasiq tha se klienti i tij edhe aktakuzën e parë dhe provat nuk i ka pranuar në gjuhën shqipe, për çka kërkoi që ato të përkthehen dhe t’i pranojnë në formë të shkruar.Pas kësaj kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj kërkoi nga Prokuroria të di se sa kohë i duhet për të përkthyer aktakuzën, ndërsa prokurori i rastit, Blerim Isufaj duke mos e saktësuar kohën tha se ka mundësi që për një muaj të përfundojë procedura e përkthimit.

Pas kësaj gjyqtari Kurtaj i dha afat deri më 30 janar Prokurorisë që të përkthejë provat dhe aktakuzën e ndryshuar dhe që të njoftohen palët e akuzuara dhe mbrojtëse me kohë.Pas mbylljes së seancës Musa Damati avokati mbrojtës i të akuzuarës Silvana Arsoviq tha se bëhet fjalë për një ndër vrasjet më misterioze që ka ndodhur në Kosovë që nga periudha e pasluftës.

Sipas tij, mungojnë elementet konstituive të cilat do ta krijonin figurën e veprës penale për të cilën akuzohet klientja e tij.Babi i të akuzuarit Marko Roshiq, Nebojsha Roshiq derisa e ka vlerësuar si spektakël këtë gjykim, u shpreh se kjo aktakuzë nuk ka të bëjë me vrasjen e Oliver Ivanoviq.

Pakënaqësi me punën e gjyqësor dhe prokurorit të këtij rasti shprehu edhe nënkryetarja e Iniciativës Qytetare “Sloboda, Demokratija, Pravda’ (SDP), Ksenija Bozhoviq, e cila aktakuzën për vrasjen e politikat serb, Oliver Ivanoviq e ka konsideruar si hetim dhe aktakuzë të kotë.

Ajo madje akuzoi gjyqësorin dhe prokurorinë se janë duke bërë punë jo profesionale, dhe u bëri thirrje përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare që të jenë të pranishme në këtë gjykim.

Dejan Vasiq, avokati mbrojtës i Nedelko Spasojeviq deklaroi se me këto ndryshime të aktakuzës personi i njëjtë po ngarkohet me dy aktakuza. Ai madje nuk e ka të qartë se me cilën aktakuzë do të procedojë seanca e 11 shkurtit.

Mahmut Halimi avokat mbrojtës i të akuzuarit Marko Roshiq, pas pranimit të aktakuzës së ndryshuar, tha se aktakuza për vrasjen e Oliver Ivanoviq ka pësuar ndryshime në përshkrimet faktike të veprës penale, por që bëhet fjalë për materien e njëjtë.

Sipas tij aktakuza me të cilën ngarkohet klienti I tij, Marko Roshiq mbetet e pandryshuar me përjashtim të një zgjerimi sa i takon krimit të organizuar.

Kryetari i Trupit Gjykues, Valon Kurtaj mediave iu dha mundësi që të marrin pamje vetëm dy minuta pasi që sipas tij nuk kanë pranuar asnjë kërkesë zyrtare për të përcjellë rastin.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë më 2 dhjetor ndaj gjashtë personave të nacionalitetit serb, Marko Rashiq, Nedelko Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Radeta Basara, të cilët ngarkohen për veprat penale, pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, keqpërdorim i pozitës zyrtare, ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, posedim i paautorizuar i armës, zbulim i sekretit zyrtar dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare duke manipuluar me provat.Lideri i partisë “Iniciativës Qytetare “Sloboda, Demokratija, Pravda”,  Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018 në një atentat të organizuar para selisë së partisë së tij në veri të Mitrovicës./KosovaPress/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme