Në 400 vjetorin e vdekjes, Shekspiri u përkujtua në një tribunë në Teatrin Kombëtar të Kosovës

E premte, 04 Nentor 2016 – Sakte.net   /

Për Shekspirin vlen pohimi i Persi Bush Shellit se shkrimtarët janë, jo vetëm krijues të epokave, por edhe krijesa të epokave.

Teatri Kombëtar i Kosovës, në shenjë të 400 vjetorit të vdekjes së shkrimtarit të madh William Shakespeare, ka organizuar një aktivitet shumë të rëndësishëm duke inskenuar një ndër kryeveprat e Shekspirit, “Tregtari i Venedikut”, shfaqje kjo që rezultoi si shumë e suksesshme dhe reprizat e së cilës po vazhdojnë të jepen.

E në shënim të këtij përvjetori shumë të rëndësishëm për këtë shkrimtar me përmasa botërore, Teatri Kombëtar i Kosovës mbajti një tribunë me temën “Aktualiteti i Shekspirit sot”, shkruan KultPlus.

Drejtuesit e TKK-së patën njoftuar se hapjen e kësaj tribune do ta bënte Ministi i Kulturës – Kujtim Shala, por kjo gjë nuk ndodhi. Sipas drejtorit artistik të teatrit, Agon Myftari, arsye e mungesës së ministrit ishin angazhimet e tij të shumta.

Për të folur për Shekspirin dhe veprat e tij, në këtë tribunë me kumtesat e tyre u paraqitën profesorët Besim Rexhaj, Muhamet Hamiti dhe Osman Gashi. Por, profesorët theksuan faktin se është e vështirë të thuhet diçka origjinale për Shekspirin sepse pothuajse çdo ditë shkruhet diçka për të.
Fillimisht fjalën e mori profesori, Besim Rexhaj, i cili solli kumtesën me temë “Tipat e dramës shekspiriane dhe aktualiteti i tyre”, ku tha që Shekspiri është autori më i lexuar, pas Biblës.

“Kategorizimi i dramave të Shekspirit përbën një detyrë të vështirë qoftë madje edhe kur atyre iu qasemi me atë çelësin e zakonshëm të klasifikimit si tragjedi ose si komedi. Thuhet kështu sepse jo vetëm një herë dhe jo në masë të vogël, një numër i madh i dramave të Shekspirit në vete ngërthejnë elemente të cilat e dobësojnë, e neutralizojnë dhe e kontestojnë përshtypjen apo bindjen e parë të përkatësisë së njohur tipologjike, të asaj tradicionalisht të njohur dhe të pranuar”, tha në fjalën e tij Besim Rexhaj. Ai tutje, prej një perspektive tjetër tipologjike, përkatësisht në variacione tipologjike, tha që dy veprat e Shekspirit, Hamleti dhe Makbethi, të cilat me laramaninë, me pasurinë dhe me shumëdimensionalitetin e tyre dalin përtej kufijve të kornizave tipologjike klasike dhe gati i rezistojnë çdo klasifikimi strikt.

Ndërsa profesori Muhamet Hamiti, u shpreh që në shënimin e 400-vjetorit të vdekjes së Shekspirit këtu në Teatrin Kombëtar të Kosovës, na intereson Shekspiri i të gjitha kohërave dhe i të gjitha kombeve.
“Siç e kishte thënë poeti e dramaturgu anglez Ben Johnson, bashkëkohaniku i tij, në një poezi përkushtimore më 1623 ‘Ai nuk i përket një epoke, por të gjitha kohërave’. Ndërsa Borhesi, me një ligjëratë të tij në vitin 1964 me titull ‘Enigma e Shekspirit’ theksonte se vepra e Shekspirit është pasuruar nga breza të ndryshëm lexuesish, duke përmendur më të njohurit si Kolrixhin, Hazlitin, Gëten, Hajnën, Bredlni e Hygonë”, u shpreh Hamiti.

Ndërsa sa i përket veprës së Shekspirit tek shqiptarët, ai tha që nëse Shekspiri nuk ka jetuar në skenë, ai ka jetuar në faqet e librit tek shqiptarët, fillimisht falë botimeve të Nolit. Si përfundim Hamiti tha që Shekspiri ka shkruar në një epokë të artë të poezisë dhe të dramës angleze dhe se ai ka krijuar galerinë më të madhe të personazheve.

Me një qasje ndryshe erdhi profesori Osman Gashi, i cili solli kumtesën me temë “Shekspiri dhe shekulli ynë”. Gashi foli edhe për një çështje të veçantë që studiuesit e kanë vënë re tek dramat e Shekspirit, e që është statusi legal i gruas në shoqërinë angleze të kohës.
“Po flasim për epokën e Humanizmit e të Renesancës, atributet e të cilës i bartë pa dyshim gjithandej edhe vepra dramatike e tij. Personazhet si: Gertruda, Ofelia, Dezdemona, Xhulieta janë shembuj të një këndvështrimi të ri, në harmoni me filozofinë dhe synimet e Epokës. Shfaqja e “dramës njerëzore” si dhe ballafaqimi i njeriut me fatin e tij e bëjnë atë kryesisht të afërt me ndjeshmërinë e njeriut të sotëm dhe përfshirjen e asaj “drame njerëzore” në letërsinë e sotme”, tha Osman Gashi.

Si përfundim ai theksoi se për Shekspirin vlen pohimi i Persi Bush Shellit se shkrimtarët janë, jo vetëm krijues të epokave, por edhe krijesa të epokave. “Shekspiri i kishte vendosur themelet e humanizmit anglez e evropian, por duke qenë i tillë ai edhe veprat e tij shumëdimensionale u bënë pjesë e traditës më të mirë dhe prijëse të epokave të mëpastajme deri në ditët e sotme. Impakti i tij deri më sot është fondamental në teatër, film, në tërë filozofinë perëndimore, në gjuhën angleze e përgjithësisht në jetën e njeriut të zakonshëm”, përfundoi fjalën e tij profesori Osman Gashi, shkruan KultPlus.

E meqë në publik kishte aktorë, regjisorë, studentë e dashamirë të veprave shekspiriane, aty u hapë edhe një diskutim ku të gjithë patën mundësi të shprehnin mendimet e tyre apo edhe të drejtonin pyetje për profesorët të cilët trajtuan tema të ndryshme rreth jetës dhe veprës së Shekspirit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme