Kryetari i Komisionit për Kosovën në Parlamentin e Serbisë, Milovan Drecun, një ditë pas takimit në Bruksel mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, dhe atij të Serbisë, Aleksander Vuçiq ka thënë se e mira e gjithë kësaj është që palët i janë rikthyer dialogut për normalizimin e raporteve.Tutje, Drecun tha se nisja e dialogut është shenjë që problemi mes dy vendeve nuk mund të zgjidhet në mënyra të tjera.“E mira e kësaj është që gjithçka dhe çdo problem është rikthyer për tu diskutuar me dialog. Mendoj që kjo është shenjë që gjërat nuk mund të zgjidhen ndryshe”, u shpreh Drecun.
Sipas tij, një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihet detyrimisht, mirëpo siç thotë ai, gjërat vështirësohen për shkak se Prishtina dhe Begoradi kanë kërkesa të ndryshme për marrëveshjen përfundimtare, transmeton lajmi.net.“Qëllimi i takimit të djeshëm ishte hyrja në një fazë të re të dialogut. Tani çdo ditë ata do të flasin për të. Ata që qëndrojnë prapa Prishtinës e kanë qëndrimin se Serbia duhet ta njohë Kosovën, mirëpo pozicionet janë të qarta, ne nuk do ta njohim Kosovën. Ne duam zgjidhje mirëpo kërkesat tona ndryshojnë me ato të shqiptarëve”, deklaroi Drecun.Madje sipas tij Bashkimi Evropian nuk ka mjaftueshëm ndikim në Kosovë, i cili do të dërgonte deri në arritjen e një zgjidhje, e për këtë arsye, ai thotë se adresa kryesore për këtë çështje janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Bashkimi Evropian nuk e ka ndikimin e mjaftueshëm në Prishtinë. Uashingtoni është adresa kryesore. Ne duhet të punojmë shumë në drejtim të Uashingtonit, të shohim vullnetin e tyre të vërtetë për të diskutuar për gjetjen e një zgjidhje”, përfundoi Drecun.