Gazetare: Andrea Çobanova
– Advertisements –
Deputetët kanë filluar debatin lidhur me propozim- ndryshimet për pagën minimale me të cilin parashihet paga të jetë 18 mijë denarë nga muaji i ardhshëm. Partitë opozitare kanë dorëzuar katër amendamente. Nga Aleanca për Shqiptarët, kërkojnë që me rritjen e pagës minimale, të rriten edhe pagat tjera.
“Me rritjen e pagës minimale duhet të ketë rritje edhe të pagave të tjera, sidomos në arsim, administratë, punonjësve në Parlament”, tha Ilire Dauti- Deputete e Aleancës për Shqiptarët.
Ministrja e Punës, Jovana Trençevska sqaroi se ky amendament nuk mund të pranohet, sepse rritja e pagave të tjera është në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara kolektive, e jo me ndryshime në pagën minimale.
“Lartësia e pagave nuk është objekt i rregullimit në këtë ligj, përveç që me propozimin e këtij amendamenti prishet dialogu social, i cili është shumë i rëndësishëm për këtë Qeveri. Marrëveshja kolektive është në pikëpyetje, të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me përfitimet shtesë, koeficientët e kontratës janë objekt i dakordimit të marrëveshjeve kolektive”, deklaroi Jovana Trençevska – Ministre e Punës dhe Politikës Sociale.
Edhe nga VMRO-ja opozitare kërkojnë rritje graduale të pagave në sektorin publik. Debati në Komision pritet të zgjasë tre ditë sepse zgjidhja ligjore e propozuar është me procedurë të shkurtër. Rritja e pagës minimale nga 15200 në 18 mijë denarë u dakordua mes sindikatave, punëdhënësve dhe përfaqësuesve të Qeverisë. /Alsat.mk