Më Komitetin e Rajoneve të Bashkimit Evropian në Bruksel, janë larguar të gjitha simbolet dhe shenjat me të cilat Kosova prezantohet si shtet, citon agjencia serbe e lajmeve “Beta” burimet nga ky organ i BE-së.
Zyrtari i Komitetit të Rajoneve të BE-së, ka thënë, sipas kësaj agjencie, se këtë veprim e ka ndërmarrë pasi Misioni i Serbisë pranë BE-së i ka dërguar notë proteste kryetarit të këtij organi të BE-së, Karl-Heinz Lambertz, me të cilën kërkonte largimin e të gjitha simboleve me të cilat Kosova identifikohet si shtet, transmeton Koha.net.
Ai i ka thënë agjencisë “Beta” se Komiteti i Rajoneve të BE-së mbështet plotësisht qëndrimin për status neutral kur është fjala për Kosovën, duke pasur parasysh se pesë shtete anëtare të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Misioni i Serbisë i ka dërguar notë Lambertzit në lidhje me përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës në manifestimin e mbajtur në Bruksel në kuadër të Ditës së Zgjerimit, transmeton Koha.net raportimin e medieve të Beogradit.