Sot zyrtarisht fillon fushata për referendumin në të cilin qytetarët më 30 shtator duhet të deklarohen nëse janë për anëtarësim në BE dhe në NATO me pranimin e marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë.
Bartës i fushatës është Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, ndërsa kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi të premten paralajmëroi se do ta zhvillojnë fushatën në mënyrë transparente dhe të drejtpërdrejtë, pa diskriminim, paragjykime dhe me respektimin e dëshirës së çdo qytetari.
Ai u bëri thirrje pjesëmarrësve në fushatë të sillen në mënyrë adekuate, korrekte, dinjitoze me qëllim që qytetarët më 30 shtator ta sjellin vendimin e vërtetë.
Në fushatën e Kuvendit do të përfshihen 71 deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, në përjashtim të VMRO-DPMNE-së opozitare e cila e njoftoi Xhaferin se nuk do të marrë pjesë në fushatë dhe se kërkon që mjetet të shpenzohen për qëllime të tjera.