Gazetar: Zekirija Haxhiu
Në lagjen e Gazibabës, me qëllim lehtësimin e lëvizjes së veturave, komuna e Çairit së fundmi vendosi shenja të reja komunikacioni e ku disa rrugë tanimë do të jenë një kahëshe. Përpos në Gazibabë, shenja të tilla tanimë një kohë të gjatë janë vendosur edhe në Çair, por megjithatë nga ajo që pamë në teren, rrallë kush që i respektonte.
Banorët e këtyre lagjeve përshëndesin vendosjen e sinjalizimit rrugor, por për Alsat, thonë se shoferët nuk i respektojnë.
“Të nevojshme janë por duhet të respektohen. Kush t’i respektojë? A nuk po respektohen po thoni? Nuk respektohen, ja e shihni veturat hyjnë e dalin, s’vlenë! A ka mungesë kulture në komunikacion apo nuk janë mësuar ende me këto rrugë? Nuk mësohen. Kurrë nuk mësohen”, tha një qytetar.
“Korrupsioni e ka bërë të veten, sa e shoh unë. Nuk duhet dikush të të tregojë për asgjë, vetëm kur të dalësh të ecësh dhe do e vëreni se disa gjëra nuk janë në rregull”, shtoi një tjetër.
Pyetëm Ministrinë e Punëve të Brendshme se sa gjoba kanë shqiptuar për shoferët që nuk respektojnë këto shenja, gjegjësisht për ngasje në drejtim të kundërt dhe çfarë masash kanë ndërmarë. Nga atje na thanë vetëm se SPB Shkup, në këto rrugë por edhe në gjithë qytetin e Shkupit, vazhdimisht ndërmer masa në përputhje me ligjin për siguri në trafik, por duke mos saktësuar se sa gjoba kanë shqiptuar.
Pyetëm banorët nëse kanë vërejtur prezencë të policisë.
A keni parë ndonjëherë polici që t’i dënojë ata që hyjnë në rrugë një kahëshe? Kurrë asnjëherë nuk ka hyrë policia këndej kurrë hiç”, tha një banor.
“Jo, jo jo! Nuk kam mundur të shoh polici rrugëve ose të qëndrojnë në ndonjë pikë që t’i kontrollojnë këto gjëra, nuk shoh unë!”, tha një tjetër.
Rrugë një kahëshe përpos në Gazibabë, janë premtuar edhe në lagje të tjera si Dizhoni dhe Serava./Alsat.mk