Gazetar: Igor Stefanovski
– Advertisements –
Tërmeti në Greqi me magnitudë 5.6 shkallë sipas Rihterit ka dridhur edhe vendin tonë. Pas tij pasuan një seri tërmetesh të njohura si pasgoditje, shkruan Alsat.
Lëkundjet janë ndjerë më së shumti në Manastir, sidomos te ata që jetojnë në kulla, në katet më të larta. Pas tërmetit në disa pjesë të Manastirit nuk ka pasur energji elektrike.
“Ndërtesa jonë është pak më e vjetër. Është ndërtuar në vitin ’60. U dridh, por në Manastir jemi mësuar me këtë. Shumica u frikësuan, banorët e kullave u frikësuan më shumë, dolën shpejt, njerëzit qëndronin këtu dhe tani të gjithë kanë shkuar në shtëpi”, tha një banor i Manastirit.
Kopshte dhe shkolla të dëmtuara, mure të ndërtesave, një çerdhe është mbyllur përkohësisht. Do të bëhen kontrolle shtesë të sigurisë dhe ndërtimit. Kryetari i Manastirit u bëri thirrje qytetarëve që të raportojnë për dëme.
“Fillimisht jemi informuar me shërbimin e urgjencës mjekësore dhe mbrojtjen kundër zjarrit. Fatmirësisht nuk ka pasur thirrje për të lënduar dhe dëme materiale në momentet e para”, u shpreh Toni Konjanovski, kryetar i komunës së Manastirit.
Në Manastir do të formohet komisioni për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i mbrëmshëm. Në ndihmë të tyre është edhe Instituti i Inxhinierisë së Tërmeteve. Ata do të kërkojnë ndihmë nga Qeveria për riparimin e dëmeve.
“Në Manastir kemi institucione të mëdha, spitale, kopshte, gjykata, kemi banesa individuale dhe sigurisht kemi objekte që janë nën mbrojtje dhe mendoj se ndoshta atje do të kemi mjete të mëdha financiare që do të duhet të sigurohen, sepse rindërtimi i tyre ndoshta do të kushtojë më shumë”, theksoi Gabriela Ilievska, kryetare e Këshillit të Komunës.
Tërmeti me epiqendër në Greqi, katër kilometra larg qytetit Lerin, është ndjerë nga pothuajse i gjithë Ballkani, pra përveç vendit tonë – në Shqipëri, Kosovë, Bullgari, Serbi, madje edhe në Bosnjë-Hercegovinë./ Alsat.mk