Në mbrojtje të Xhabir Zharkut

Në një vend ku nuk sundon ligji, siç është Kosova, i vetmi ligj që respektohet është ai i gravitacionit.

1.

Ditën kur Xhabir Zharku, në cilësinë e kryetarit të Kaçanikut, një komune ngjitur me malin e Sharrit, vendosi që shëtitorja rreth lumit Lepenc duhej të mbillej me palma, me gjithë kritikat dhe përqeshjet adresuar atij, bëri një veprim logjik.

Ata që e sulmuan dhe përqeshen vunë në pah se Kaçaniku ka një klimë bukur të ashpër në dimër, se ka edhe ngrica të mëdha, dhe se nuk kishte vend në Kosovë ku mund të mbillej palma- as në vende më të ngrohta si Prizreni e Gjakova, e lëre më një qytezë malore si Kaçaniku-pra, se palmat do të ishin një dështim i madh.

Por, a nuk ishte thënë kështu edhe për veprimet e mëhershme të Zharkut dhe shokëve të tij? A nuk thuhej se këta “marksistë-leninistë” nuk dinin gjë prej gjëje, se ishin vegël e Sigurimit të Shqipërisë? Por, atëherë, a nuk ndodhi që Zharku dhe shokët e tij e çliruan Kosovën dhe ashtu të lirë ia lënë në duar NATO-s dhe pranisë civile ndërkombëtare?

A nuk ndodhi që vetë Zharku, për të cilin jepeshin përshkrime të një personi rigjid dhe të dhunshëm, të zgjidhej kryetar i komunës me votat e qytetarëve?

Pra, a nuk është atëherë logjike që të gjitha ato që dukeshin të palogjikshme dhe të pabëshme- prej faktit se Xhabir Zharku çliroi Kosovën, Hashim Thaçi u bë kryeministër e president, dhe palmat u mbollën në Kaçanik- të jenë në fakt të logjikshme dhe të bëshme?

2.

E gjej gjithashtu të logjikshëm faktin se Xhabir Zharku konsideron se nuk ka bërë shkelje të ligjit. Një sërë nivelesh gjykatash e ka dënuar atë pak a shumë, sepse ka dashur t’i bindë disa bashkëqytetarë që të heqin dorë prej privatizimit të një ferme (apo diçka të ngjashme), sepse do të ishte më mirë që këtë privatizim ta bënte dikush që ishte më afër Zharkut, ndoshta edhe vetë ai. Një sërë nivelesh gjykatash, po ashtu, kanë konsideruar se posedimi i një arsenali armatimi, përfshirë edhe eksplozivin, dhe përdorimi i fjalëve të rënda dhe ndonjë shuplake jo aq të lehtë kundër palëve që deshën të privatizonin fermën (apo diçka të ngjashme) nuk i kishte hije një qytetari, lëre më një kryetari komune dhe se rrjedhimisht duhej të dënohej për armëposedim pa leje, kërcënim e kanosje.

Por, Xhabir Zharku ka qenë duke e mbrojtur të drejtën e vet, të drejtën e çlirimtarit. Nëse ai e ka çliruar Kosovën, a nuk është e drejtë që ai të privatizojë fermën (apo diçka të ngjashme)? Po të mos ishte ai, ferma dhe çdokush në të do të fliste sot serbisht, e ai ka dashur që ferma dhe çdokush në të, t’i flasë atij shqip.

Për më tepër, nëse Partia e tij e kishte marrë prej kohësh Agjencinë e Privatizimit dhe njëri prej nënkryetarëve të Partisë vendoste se kush do të merrte çfarë prone me çfarë çmimi, pse qenka shkelje e ligjit kërkesa e tij që të mos garojë një palë e nuk qenka shkelje e ligjit veprimi i Partisë së tij në Agjencinë e Privatizimit, ku –thënë të vërtetën, pa shuplakë e kërcënime- eliminohen garuesit e padëshiruar? Xhabir Zharku, së paku nuk është fshehur; ka deklaruar haptazi se ajo fermë (apo diçka e ngjashme) duhet t’i përkasë dikujt më të afërt.

Dhe, nëse kreu i Partisë së tij, së bashku me ministrat, nënshkruan kontrata me të cilat falet Elektrokosova dhe vidhet me të madhe çdo centimetër asfalti që shtrohet në Kosovë, pse ato nuk janë shkelje ligji, ndërsa puna e asaj ferme (apo diçka të ngjashme) që nuk e ka vlerën as sa një depo fshati e distribucionit e as 50 metra asfalt qenka shkelje e ligjit?

3.

Dhe e gjej krejtësisht të logjikshëm veprimin e Xhabir Zharkut që të mos shkojë në burg tashmë kur të gjitha ato nivele gjykatash të Kosovës e kishin gjetur të fajshëm.

Ai zgjodhi të shtyjë shkuarjen në burg me arsyetimin e bazuar se vendimi për ta çuar në burg iu kishte shkaktuar probleme shëndetësore atij dhe nënës së tij ; nuk ekziston një mjek në botë që do të dëshmojë se vendimi për të shkuar në burg i shkakton të dënuarit dhe familjes së tij lehtësim në gjendje shëndetësore.

Por, meqë kjo ishte vetëm shtyrje momentale, Xhabir Zharku bëri vendimin e logjikshëm, që të mos shkojë në burg fare. Qe një vendim krejtësisht i logjikshëm, jo vetëm pse bazohej në fjalën e vjetër të urtë ilire “është më mirë mos me shku në burg se me shku në burg”, por ngase në vend se të shkojë në burg e mori avionin për në Suedi, shtetas i të cilit vend është.

Duke qenë në Suedi, aplikoi “Ligjin e Leme Xhemes”, ish-drejtoreshës së PTK-së, e cila u dënua për hajni, i kaloi disa vjet duke mos qenë në Kosovë (ndonëse kishte njerëz që betoheshin se e kishin parë në këtë apo atë kafe), dhe ditën kur i skadoi obligimi ligjor për të shkuar në burg u paraqit në qendër të Prishtinës për të treguar se tash e tutje të gjithë ata që betoheshin se e kishin parë në qendër të qytetit, si qytetare të lirë, duhej t’u besonin syve të vet.

Xhabir Zharku u paraqit në të skaduar obligimi i tij ligjor për të shkuar në burg, me përkushtimin e tij që ta zhvillojë më tutje këtë vend – që për dikë mund të duket frymëzim nga fjalët e një plake thënë një ish-kryeministri në varrezat e Reçakut.

4.

Përderisa m’u dukën të logjikshme veprimet e Xhabir Zharkut, nuk më duket aq e logjikshme, kritika ndaj kthimit të Xhabir Zharkut në Kosovë, qoftë nga politikanë vendorë apo diplomatë.

Një, sepse Xhabir Zharku ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë që i jep konteksti i zbatimit të ligjit për ta mbrojtur interesin e vet. Ashtu si ka angazhuar avokatë për ta mbrojtur në Gjykatë ashtu ka blerë biletën e avionit për në Suedi, kur ka parë se njëra formë e zbatimit të ligjit mund ta çojë në burg, por tjetra formë e zbatimit të ligjit mund ta bëjë qytetar të lirë nëse rri në Suedi për një kohë.

Dy, sepse Kosova është shtet i kapur, dhe atë e ka kapur në masë të madhe struktura kriminale-politike pjesë e së cilës ka qenë, apo mund të jetë Xhabir Zharku. Por, nëse përgjatë viteve, në krye të kësaj strukture kriminale-politike ka qenë dhe është Hashim Thaçi, pse qenka për diplomatët problem kthimi i Xhabir Zharkut në Kosovë, por nuk qenka problem qëndrimi i Hashim Thaçit ?

Dhe tre, në një vend ku nuk sundon ligji, siç është Kosova, i vetmi ligj që respektohet është ai i gravitacionit. E këtë ligj, i kthyer nga tërheqja e tokës mëmë, Xhabir Zharku dëshmoi se nuk e shkel.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme