Gazetare: Melihate Rustemi
Mbi 140 nxënës të shkollës fillore “Nikolla Karev” të fshatit Nerovë të Komunës së Krushevës e mbyllën javën me bojkot të mësimit. Prindërit mbeten në qëndrimin se nuk do të lejojnë fëmijët në shkollë derisa institucionet përkatëse të lejojnë realizimin e punimeve ndërtimore dhe të legalizojnë objektin e ri shkollor që aktualisht po ndërtohet nga vet banorët e fshatit. Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska pranoi se për këtë problematikë është informuar nga mediat ndërkohë kujtoi prindërit se nuk guxojnë të veprojnë kokë më vete kur bëhet fjalë për institucion shkollor.
“Fatkeqësisht, më duhet të them se nuk është në rregull kur prindërit marrin iniciativë pa i përfshirë institucionet shtetërore, fillimisht komunën dhe nëse paraqitet nevoja edhe pushtetin qendror. Tashmë kemi një problem serioz, uzurpim të tokës, kemi problem me objektin, kush dhe si i ndërtoi, kush ishte i angazhuar, a janë respektuar standardet sepse bëhet fjalë për shkollë ku mësojnë nxënës”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Ministrja Janevska tha se përgjegjësi duhet të bart edhe kreu i Komunës së Krushevës, i cili ditë më parë deklaroi se nuk kishte njohuri se kush qëndron mbrapa ndërtimit të këtij objekti shkollor.
“Unë do ti mbledh të gjitha informacionet ndërsa kryetari i komunës duhet të jetë në rrjedhë për atë se çfarë ndodhë në komunën e tij. Informacionet duhet të jenë të rrjedhshme midis popullatës dhe kryetarit të komunës, prandaj ata e zgjedhin kryetarin e komunës. Nëse më lejon agjenda me shumë kënaqësi do ta vizitoja fshatin mirëpo komunikimi me kryetarin e komunës do të nis menjëherë”, shtoi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Kryetari i Krushevës Toni Hristoski tha për Alsat se do të shqyrtohet çdo mundësi që objekti i ri shkollor mos të rrënohet por të vihet në shërbim të nxënësve dhe stafit mësimor. Hristoski, kujton se gjeneza e mos legalizimit të objektit të ri shkollor që tashmë është në ndërtim por edhe atij të vjetër daton shumë vite më parë, pas ndarjes territoriale të vitit 1996. Që nga e hëna, banorët e fshatit Nerovë protestojnë para objektit shkollor, pasi policia ka ndaluar punimet ndërtimore në objekt dhe sipas banorëve, po shqyrtohet vendimi për rrënimin e objektit për shkak të mospasjes së lejes për ndërtim nga institucionet. Sipas kryetarit të Komunës së Krushevës, Tome Hristoski, rreth 90% e objekteve në fshatrat e kësaj komune janë pa plan urbanistik, përfshirë edhe objektin e vjetër shkollor ku nxënësit aktualisht ndjekin mësimin./Alsat.mk
Melihate Rustemi