Gjatë ditës së nesërme pritët të takohen dy krerët e partive që dolën fituese në zgjedhjet e 6 tetorit. Në tentim për të formuar qeverinë e ardhshme, kryetari i VV-së, Albin Kurti tha se në takimin e së premtes me kreun e LDK-së Isa Mustafa do t’i hapin të gjitha temat përfshirë ndarjen e posteve ministrore dhe çështjen e emërimit të presidentit pas dy vite. Megjithatë, Kurti u shpreh këmbëngulës se posti i kryeministrit nuk duhet të vihet në baraspeshë me marrjen e më shumë ministrive siç është deklaruar nga LDK.
Kandidati për kryeministër paralajmëroi se me LDK-në duhet të përshepjtojnë drejt formimit të qeverisë sepse brenda disa ditësh pritet edhe certifikimi i rezultateve dhe brenda 30 ditësh do të ftohet edhe seanca.
“Nesër do të takohem me profesor Isa Mustafën, kryetarin e LDK-së. Do të diskutojmë për arriturat e deritanishme të dy grupeve punuese që kanë negociuar harmonizimin e programit tonë i cili është përfunduar në masën mbi 80%. Shpresoj që do të diskutojmë edhe ato që kanë ngelur pa u diskutuar përfshirë këtu edhe programin, njëkohësisht edhe si është më mirë të vazhdojmë sa i përket ndarjes së përgjegjësive ekzekutive. Meqë natyrisht përfundon rinumërimi dhe i jepet rezultati vërtet final javën e ardhshme. Andaj ne duhet të ecim me shpejtësi drejtë formimit të qeverisë sepse do të bëhet certifikimi i rezultateve… nuk është e thënë që do t’i mbyllim të gjitha temat, por është koha që t’i hapim ato”, tha Kurti.
Duke mos i mohuar diskutimet për emërimin e presidentit pas dy viteve, Kurti tha se fokusi i diskutimeve duhet të jetë tek karriget e zbrazëta, si kryeministri dhe kryetarit të Kuvendit që kanë mbetur pa përfaqësues.
“Ne do të diskutojmë me kryetarin e LDK-së për këto çështje, por fokusi ynë janë karriget e zbrazëta. E ato janë të kryeministrit, ministrive, kryeparlamentarit, zëvendësministrave dhe unë besoj që kjo është detyra më urgjente që kemi. Meqenëse se shpesh gjërat nuk përfundojnë më një takim, është mirë që sa më parë t’i diskutojmë këto punë. Sepse në çastin kur certifikohen rezultatet e zgjedhjeve atëherë presidenti i vendit ka 30 ditë për të thirrur seancën”, tha Kurti.
Lideri i VV-së para takimit me sindikalistë gjatë ditës sotme u shpreh se ndarja e posteve ministrore me LDK-në mund të jetë e diskutueshme.
Ndërsa i pyetur për deklaratat e zyrtarëve të kësaj partie se posti i kryeministrit peshon dhe si pasojë e kësaj ndarja e ministrive nuk mund të jetë e barabartë, Kurti tha se kjo nuk mund të jetë ashtu, pasi kryeministrin e ka përcaktuar populli me 6 tetor dhe ka vetëm një parti fituese.
“Kryeministrin e ka përcaktuar populli i Kosovës më 6 tetor, ministritë janë të diskutueshme…ne këmbëngulim në harmonizimin tonë programor. Duhet të gjendet edhe një formulë për ndarjen e këtyre përgjegjësive, por unë nuk mund të flas tash se këtë e lëshoj e këtë se lëshoj thua ti është një lloj…nuk mund të jetë ashtu, kryeministrin e ka përcaktuar populli me 6 tetor, ne kemi qenë kandidatë në garë, secili subjekt që ka garuar e ka pasur kandidatin e vet për kryeministër”, tha ai.
Kurti edhe një here u shpreh i vendosur për të bërë koalicion me Listën Serbe, por u shpreh i hapur që një përfaqësues i tyre të merr një ministri në qeverisjen e tij.
Ka dy mbi javë që kanë përfunduar negociatat e grupeve punese të VV-së dhe LDK-së, e prej atëherë nuk ka pasur takim ndërmjet këtyre dy partive.