Prokurori i Posaçëm, Alfred Shehu, ka dhënë detaje të reja në lidhje me operacionin e përbashkët mes SPAK dhe autoriteteve finlandeze që çoi në goditjen e katër grupeve kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Sipas Shehut, grupet kishin bazat e tyre në disa qytete të vendit dhe vepronin për një kohë të gjatë pa u identifikuar, falë hetimeve të fshehta dhe profilit të ulët që mbanin anëtarët e tyre.
“Dy nga drejtuesit e grupeve janë me origjinë nga Vlora, ndërsa pjesa tjetër e anëtarëve ishin të përqendruar në Kuçovë, Berat dhe Tiranë. Ata nuk kishin ndonjë aktivitet të ligjshëm që t’i ekspozonte ndaj kontrolleve të institucioneve, çka u lejonte të lëviznin lirshëm brenda dhe jashtë vendit,” – u shpreh Shehu.
Ndërkohë, komisari i Byrosë Kombëtare të Hetimit të Finlandës bëri të ditur se anëtarët e grupeve përdornin aplikacionet “Telegram” dhe “Signal” për të komunikuar, ndërsa hetimet për mënyrën e transferimit të të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal janë ende në proces.