Një ngjarje e trishtë ka ndodhur në fshatin Suk1 të Roskovecit, ku 48-vjeçari Florenc Cjapi i dha fund jetës së tij brenda në banesë duke u vetëqëlluar me armë zjarri. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të borxheve që viktima kishte, si pasojë e dështimit të prodhimit në serat që kishte investuar pranë banesës.
Në afërsi të banesës, ku jetonte me të shoqen, të kthyer disa vite më parë nga Italia, shihen dhjetëra sera që këtë vit nuk kanë pasur prodhimin që do t’i mundësonte shlyerjen e kredisë.
Lajmi i borxheve për investimin në sera konfirmohet dhe nga banorët e fshatit, të cilët janë të tronditur nga ngjarja.
“Ai ka marrë kredi jo me lekët e tij, nuk e dimë si e ka pasur punën, por ishte njeri shumë i sjellshëm me shoqërinë dhe miqësinë. Ne dëgjuam të qarat e bashkëshortes së tij”, shprehet një prej banoreve të fshatit.
Fermerët e zonës thonë për SYRI TV se edhe fermerë të tjerë kanë kaluar në depresion nga humbjet dhe kanë tentuar vetëvrasjen.
Sipas tyre, shteti nuk u jep subvencione, nuk u siguron treg dhe prodhimi i tyre kalbet.
Pasi marrin në kredi, ata zhyten në borxhe dhe në depresion. Bëhet fjalë për të paktën 3-4 raste të tentativave për vetëvrasje në zonën e Sukit në Roskovec.