Gazetar: Avni Tahiri
Tre vatra zjarresh vazhdojnë të jenë aktiv në territorin e vendit. Siç njoftojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza, zjarr aktiv ka në fshatin Beshishtë në Prilep, ku po digjet pyll i përzier me cilësi të lartë ndërsa po ashtu edhe në fshatin Creshnevë, lokaliteti Cero Polës, dhe në komunën e Makedonski Brodit. Një zjarr tjetër edhe në Komunën e Çashkës, poshtë Majës së Selanikut, ku aktualisht nuk ka flakë aktive, por vetëm tym ndërsa zjarri është në një zonë shkëmbore. Ndërkohë, Brigada e parë republikane e zjarrfikësve prezantoi sot 50 automjete ushtarake dhe policore të modifikuara të cilat janë vënë në funksion për të shuar zjarret. Sipas Stojançe Angellovit, me vendosjen në funksion të këtyre automjeteve ushtarake, më nuk do të duhen krënde për shuarjen e zjarrit.
“Këtë vit nuk do të na duhen krënde sepse për dallim të viteve të kaluara kemi më shumë resurse me të cilat lufta kundër stuhisë së zjarrit të cilën e presim që në të ardhmen ta kaploje shtetin do të jetë më e thjeshtë. Për here të parë do të thosha që kemi numër të pa krahasueshëm të resurseve për luftën kundër zjarreve në ambient të hapur dhe zjarreve në pyje”, tha Stojançe Angelov – Drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Sipas kryeministri Hristijan Mickoski me vendosjen e automjeteve të ushtrisë në funksion në luftën kundër zjarreve shteti ka kursyer disa dhjetëra milionë euro.
“Behet fjalë për automjete policie dhe ushtrie që nuk janë ndezur për më shumë se tetë vjet. Ju e patë demonstrimin, e patë se si duket sot dhe mund të them se jemi shumë më të përgatitur për sezonin e zjarreve që presim të ndodhë shumë shpejt, domethënë, ai tashmë ka filluar dhe zjarret po shfaqen në vende të caktuara në të gjithë vendin”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër .
Automjetet e ushtrisë që janë vënë në funksion, sipas autoriteteve, janë të pajisura me rezervuarë të posaçëm uji dhe pompa me presion të lartë, që mund të hyjnë edhe në terrenin më të vështirë, dhe disa prej tyre janë versione të modernizuara të Hermalin-ëve të vjetër, të cilët janë ruajtur në depot e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme për vite me radhë./Alsat.mk