Në teh të thikës!

Xhevdet POZHARI

Albin Kurti, tani për tani, ka zgjedhur pozicionimin më të mirë politik – atë të vëzhguesit dhe komentuesit të zhvillimeve politike. Pasi që të paktën zyrtarisht ka hequr nga supet barrën e drejtuesit të partisë më të madhe opozitare, i vetëdijshëm për reputacionin dhe ndikimin e tij në Lëvizjen të cilën vet e themeloi, nga pozita e deputetit ai është shndërruar në një komentator i cili mjeshtërisht i shfrytëzon momentet politike. Gazi i lëshuar në parlament siç duket ka qartësuar jo vetëm shikimin e popullit që mbeti i hutuar midis dy taborreve të elektrizuara, por me gjasë ka këndellur edhe koshiencën e tij si politikan që tani siç duket është në pritje të momentit të tij. Arma e tij më e fortë padyshim se janë fjalimet populliste. Përvoja e gjatë në politikë ia ka mësuar mjeshtrinë për të zgjedhur momentin e përshtatshëm për të goditur, jo vetëm rivalët e tij politik, por kur është nevoja, edhe ata që nuk mendojnë njëjtë brenda partisë. Kësaj here, Kurti zgjodhi të flet për lidhjet politikë – biznes, fenomen ky i shprehur dhe i përhapur që mbetet shqetësues edhe për shtetet me demokracinë më të zhvilluar, por që shfaqet në trajtën më të vrazhdë në shtetet ku periudha e tranzicionit zgjatet dhe shkakton pasoja më të dhembshme.

Në fjalimin e tij të fundit në foltoren e Parlamentit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti përmendi një mori skandalesh e veprimesh korruptive të kompanisë “Devolli”. Kryesisht, akuzat që bëri ishin të bazuara në raportimet e medieve dhe përgjime telefonike. Fjalimi i tij u pasua me reagimet përvëluese të “mendjendriturve” të Kosovës, të cilët denoncimet publike i ndërlidhin me “sinjalet” që – sipas tyre – Kurti donte t’ia përcjellë Shpend Ahmetit! Papritur, jo vetëm opinionistë, por edhe militantë partiakë, fushbetejën politike ku do të duhej të ballafaqoheshin argumentet e shndërruan në tifozeri dhe secili përzgjidhte të preferuarin/en e tij. Në një shtet normal, do të mjaftonin vetëm 10% e akuzave që të alarmoheshin njësitet e krimeve ekonomike dhe të hetonin pretendimet të cilat u thanë hapur në foltoren e parlamentit. Bllokimi i xhirollogarive të kompanisë së përmendur, në këto rrethana kur përfliten emra të përveçëm dhe kompani konkrete të dyshuara për përfshirje në krimin e organizuar do të ndihmonte në zbulimin edhe të prejardhjes dhe të hyrave të këtyre kompanive, për të cilat deputeti Kurti tha se madje nuk janë as të regjistruara në Kosovë. Pra, në një shtet normal, nuk do të kishte gjë më të natyrshme sesa të ndërmerreshin të gjitha masat ligjore të paktën derisa të vërtetohej nëse një deputet i Kuvendit e përdori foltoren për të shpifur apo nëse ka vërtetësi në cilëndo prej akuzave të bëra. Kështu edhe do të përcillej mesazhi se ka perënduar koha kur çdokush mund të thotë çfarë të dojë vetëm pse i është dhënë mundësia. Si dhe do të krijoheshin rrethana që institucionet e drejtësisë ta rikthenin besimin në popullatë se krimi nuk mbetet i pandëshkuar, e veçanërisht kur flitet haptazi për dhjetëra vepra të rënda penale.

E, derisa fjalimi i deputetit Kurti në opinion do të duhej të paktën të prodhonte efektin se si shoqëri, nëse jo për gjë tjetër, atëherë do të duhej të paktën të brengosemi për ushqimin që konsumojmë dhe qumështin që pine fëmijët tanë si dhe të kërkojmë llogari, fatkeqësisht, më atraktive dolën të jenë temat që rëndom shfrytëzohen për konsum ditor duke bërë kështu që i gjithë ai fjalim të shërbejë më shumë si marketing politik, sesa llogaridhënie që duhet ta kërkojmë si shoqëri.

Ndonjëherë përfaqësuesit politik mbase edhe gabimisht ta krijojnë përshtypjen se më e rëndësishme sesa përmbajtja e asaj që thonë, është momenti kur zgjedhin ta shprehin të vërtetën e tyre. Se ata më të brengosur janë nëse do të “pushtohen” ballinat me deklarimet e tyre, sesa nëse do të zbardhen në plotëni akuzat e tyre. E, qytetarët e Kosovës janë ngopur me akuza e kunderakuza nga më të ndryshmet. Kuvendi i Kosovës tash e një kohë është shndërruar në arenë ku jo vetëm që përplasen inatet politike dhe mbahet peng e ardhmja e vendit, por në një arë të përshtatshme për të mbjellë thashetheme duke rrezikuar që një ditë publiku mos të arrijë ta dallojë të vërtetën nga gënjeshtra, e gënjeshtrën nga shpifja. Kjo ngaqë gjithçka ka filluar të ngjajë në një garë të pafund për marketing politik dhe asnjëri nuk zgjedh mjete për të qenë “ylli i shfaqjes”. Inkriminimi i qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, në afera korruptive prej moti thuajse është shndërruar në mision të disa mercenareve të gazetarisë që siç duket linçimin e kanë shndërruar në “degë të posaçme të gazetarisë”. Andaj, edhe shkëlqimi momental shpejtë mund të kthehet në “boomerang” që do të shkaktonte pasoja të pariparueshme të cilat do ta dëmtonin një përpjekje të sinqertë për të bërë ndryshimet aq të nevojshme në ekzekutivin e Kosovës.

Zhvillimet në Kosovë janë futur në një qark që sillet me ngathtesi rreth boshtit të vet, si një rrotë e vjetër që e harxhon vetveten e assesi ta zë hapin me kohën. Dhe, ndoshta përfundimisht duhet të dorëzohemi! Ta lejojmë kalbjen. Të bëjmë atë që dimë më së miri – t’ia mbathim. Të vazhdojmë ta furnizojmë botën me “afrikanë të bardhë”. Apo, ndoshta ka edhe metodë më efikase, t’i braktisim gropat septike që helmatisin opinionin dhe të presim se ndoshta vetvetiu do të pastrohet ky kanalizim që ka depërtuar në emër të “lirisë së shprehjes”. E kur këto gropa septike bëhen pikë reference, argumentet mbyten nga zhurma dhe propaganda, aq sa e bën Kosovën të ngjajë në një vend ku as qeni nuk e di se kënd e ka pronar!

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme