Në zgjedhjet e Francës, humbësja më e madhe do të jetë e majta

Duke patur parasysh tronditjet e fundit që kemi parë nëpër botë, do të ishte marrëzi të mendonim se Marine Le Pen nuk ka fare shanse në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Francë. Elektoratet kudo kanë treguar se janë gjithnjë e më të paparashikueshëm, dhe të prirur të refuzojnë kandidatët që i marrin zgjedhësit për të mirëqenë – siç bënë në fakt edhe në zgjedhjet e të dielës, duke u kthyer shpinën partive tradicionale, që kanë shkëmbyer mes tyre pushtetet për dekada me radhë.

Megjithatë, kështu si janë gjërat, kandidatja e krahut të djathtë Le Pen, e cili ka njoftuar se largohet përkohësisht nga kreu i Frontit Nacional, në një përpjekje për të tërhequr të moderuarit, do të mposhtet pas dy javë dhe presidenti i Francës do të jetë Emmanuel Macron, ish-ministri 39-vjeçar i ekonomisë. Nëse kjo ndodh, Franca nuk do të ndjekë Britaninë në largimin nga BE.

Por ajo që më shastis, është përse shumë të majtë brohorasin rezultatin e raundit të parë. Sa e çuditshme është bërë bota, kur sheh një medi atë majta përshëndesin vendin e parë të Macronit si një fitore të vlerave “progresiste”, dhe shumë të tjerë thonë se vendi i dytë që ka zënë Le Pen është “humbje për të djathtën”.

Në të vërtetë, humbësja e vërtetë të dielën ishte E Majta. Kandidati i Partisë Socialiste – partia e presidentit aktual, François Hollande – mori vetëm 6 përqind të votave. Qesharake. Edhe Jeremy Corbyni këtu në Britani po del më mirë. Kandidati i të majtës ekstreme, Jean-Luc Melenchon mundi të renditet i katërti.

Balotazhi pas dy javësh do të jetë midis dy kandidatëve, të cilët në mënyra të ndryshme paraqesin një anatemë ndaj së Majtës tradicionale. Marine Le Pen i shqetëson ata, sepse ajo është një nacionaliste që dëshiron të vendosë popullin francez, përpara imigrantëve. Por Macron gjithashtu përfaqëson shumë nga gjërat që e Majtas i ka urryer gjithmonë. Ai është një kapitalist që nuk i vjen turp ta shpallë me të madhe, një ish-bankier i cili mbron globalizimin dhe është duke garuar mbi një platformë të fuqishme pro-biznesit. Falë moshës rinore, Macron është krahasuar me John F. Kennedyn dhe Tony Blairin. Por politikisht ai është më afër një njeriu që ka arritur një post të lartë publik, në një moshë edhe më të re: ai është me të vërtetë një George Osborne i Galisë.

Çdokush në të Majtë i cili është i gëzuar për Macronin, nuk e ka lexuar politikën e tij ekonomike. Në Britani ai do të tërhiqte turmat që marshojnë me parulla “anti-shtrënguese”. Macron dëshiron të zvogëlojë shpenzimet publike me 60 miliardë euro gjatë pesë viteve. Ai dëshiron të shkurtojë 120,000 vende pune në shërbimin civil. Politikat ekonomike liberale të Macronit nuk përfundojnë me kaq. Ai dëshiron të ulë taksat me 20 miliardë euro në vit. Ai kërkon të reformojë taksën e pasurisë në Francë, kështu që në të ardhmen nuk do të paguhet për asetet financiare të tilla si aksionet – ishte kjo gjë, dhe jo entuziasmi i Macronit për BE-në, që forcoi dy ditë më parë tregun francez të aksioneve.

Macron gjithashtu dëshiron të ulë taksën mbi fitimin me një të tretën dhe të futë ligje më elastike, për orarin e punës dhe për pagën. E vërteta është se, janë politikat e Marine Le Pen, ato që janë më afër të majtës tradicionale. Eshtë ajo që i kundërvihet tregtisë së lirë, që dëshiron të mbrojë vendet e punës të punëtorëve francezë, që flet pa dorashka kundër globalizimit. Jo shumë kohë më parë, grupet e krahut të majtë kalonin çdo 1 Maj, duke copëtuar dritaret e McDonald’s dhe Starbucks, duke sharë  kapitalizmin ndërkombëtar.

Jo për herë të parë, e jathta dhe e majta ekstreme e gjejnë veten shumë pranë mes tyre. Kjo u pranua edhe nga Jean-Luc Melenchon, i cili jo më kot refuzoi të mbështeste Macron-in, tani që vetë është jashtë konkurimit. Ai e di se kur mbështetësit e tij të shohin zgjedhjet që kanë në fletën e votimit më 7 maj, shumë prej tyre do të tërhiqen drejt Le Penit, më shumë se sa drejt Macronit.

po kjo gjë ndodhi në zgjedhjet amerikane kur Hillary Clinton kërkoi votat e kandidatit socialist Bernie Sanders, pasi e mundi atë në primaret e Demokratëve. Megjithatë, shumë nga mbështetësit e tij u kthyen drejt Trumpit, sepse si e shihnin ata, Trumpi dhe Sandersi po premtonin pak a shumë të njëjtën gjë: që vendet e punës e punëtorëve duhej të mbroheshin nga kapitalistët e huaj të këqinj.

E majta metropolitane e sheh ndryshe. Për ta, Le Peni dhe Melenchoni janë si shkumësi dhe djathi – si Trumpi dhe Sandersi. Kjo sepse ata e shohin gjithçka me sytë e politikës së pakicës dhe e konsiderojnë Le Penin të keqe, për shkak se ajo do t’ua bëjë jetën të vështirë imigrantëve.

Në Francë, ashtu si në Britani dhe gjetkë, e Majta po dështon sepse ka humbur kontaktin me bazën e vet tradicionale të klasës punëtore. I ka trajtuar shqetësimet për migrimin me përbuzje, duke i dënuar si racistë ata që i shprehin këto shqetësime. Duke vepruar kështu, nuk kuptoi se po fyente shumë prej mbështetësve të vet të natyrshëm.

Kjo e bën raundin e dytë të zgjedhjeve në Francë kaq të vështirë për t’u parashikuar, edhe pse duket sikur Macroni do e mundë kollaj Le Penin. Ne nuk e dimë se si do të reagojnë mbështetësit e kandidatëve të mundur të krahut të majtë, kur të shqyrtojnë më tej atë që ofron Macroni.

A do të votojnë për të me qëllim që të mundin “të djathtën ekstreme”, apo do të tremben prej politikave të tij pro biznesit dhe tregtisë së lirë? Vota e tyre do të ketë një impakt shumë të madh mbi të ardhmen e BE-së. Por sido që të shkojë, humbësja më e madhe do të jetë e majta tradicionale. / “Daily Express” – Përgatiti: bota.al

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme