Policia e Lucernit, pas hetimeve intensive, ia ka dalë ta kapë një bandë prej 7 hajnash, të cilët kanë kryer 97 vjedhje të rënda nga tetori i vitit 2013 deri në qershor të vitit 2015.
Ata janë të moshave mes 29 dhe 53 vjeçare dhe vijnë nga Bosnja, Kosova e Serbia. Tre prej tyre ishin me vendqëndrim në Zvicër, ndërsa të tjerët vinin si “turistë” nga Franca, për të marrë pjesë në vjedhje.
E vlerësuar në para, vlera e përgjithshme e mallrave të vjedhura shkon deri në 460 mijë franga, ndërsa dëmi i shkaktuar arrin rreth 700 mijë franga, shkruan portali i policisë zvicerane polizeinews.ch.
Banda ka vepruar në tetë kantone: Aargau, Bernë, Baseland, Jura, Lucern, St. Gallen, Solothurn dhe Cyrih.
Shtatë pjesëtarët e saj janë arrestuar në kohë të ndryshme, nga mesi deri në fund të vitit 2015, transmeton albinfo.ch portalin policor.
Banda ka pasur organizim profesional dhe aksionet i ka kryer me përbërje të ndryshuar. Ata i kanë planifikuar aksionet me kujdes dhe punonin me vegla përkatëse si dhe me aparate komunikimi dhe duke mbajtur roje.
Të arrestuarit ishin specializuar në veçanti për vjedhje nëpër shtëpi familjare ose në firma biznesi, me ç`rast vidhnin para ose gjësende me vlerë, përcjell albinfo.ch.



