Edhe pse kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka paralajmëruar që të mërkurën ose të enjten mund të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës ku mund të votohet demarkacioni me Malin e Zi, një gjë e tillë edhe mund të shtyhet.Burime të Gazetës Blic brenda Qeverisë së Kosovës kanë bërë të ditur se gjatë tërë ditës së sotme ka pasur negociata me zyrtarët e Listës Serbe për t’i bindur ata që ta votojnë demarkacionin.“Nëse nuk do të binden deputetët e Listës Serbe, atëherë sipas të gjitha gjasave mund të shtyhet seanca për demarkacionin edhe për javën tjetër. Gjatë tërë ditës së sotme janë zhvilluar negociata me përfaqësuesit e Listës Serbe për t’i bindur ata për ta votuar këtë marrëveshje, mirëpo deri më tani nuk ka diçka konkrete”, tha ky burim i Gazetës Blic.
Mësohet se deri më tani koalicioni i ka vetëm 77- 78 vota për demarkacionin, që janë të pamjaftueshme për ta votuar këtë marrëveshje, që kërkon 2/3 e votave të të gjithë deputetëve.Gjatë ditës së sotme, qeveria ka pasur mbledhje në ora 10:00, ku ka kërkuar tërheqjen e projektligjit të dërguar javë më parë për marrëveshjen për demarkacionin.Ndërkohë, pritet që në ora 16:00, të mbahet mbledhja e radhës e qeverisë, ku pritet që projektligjit për marrëveshjen për demarkacionin, t’i shtohet edhe deklarata politike e presidentit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi, në lidhje me mundësinë e korigjimit të demarkacionit.Ndryshe, Kryeministri Haradinaj ka bërë të ditur se ditën e nesërme ose më së voni të pasnesërme do të ftohet seanca e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.Një gjë të tillë Haradinaj, e ka bërë të ditur në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë ku u miratua kërkesa e drejtuar Kuvendit për tërheqjen e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, me qëllim që Projektligji t’i bashkëngjitet edhe deklarata e arritur mes presidentëve të të dyja shteteve.“Nuk kemi kohë për të humbur. Nesër ose më së voni pasnesër do të ftohet seanca për ratifikimin e demarakcionit. Pasnesër gjithqysh, por nesër janë gjasat më të mëdha që ajo të ndodh. Ne do të procedojmë në Kuvend ligjin për ratifkim dhe dokumentet përcjellëse“, tha Haradinaj.Për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje nevojiten 80 vota të deputetëve.