Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar ashpër për vendimin e mos hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një deklaratë për mediat, PDIU bën përgjegjës kryeministrin Edi Rama për këtë vendim negativ, ndërsa i kujton këtij të fundit të gjitha rastet kur ka thënë se ka marrë konfirmim për hapjen e negociatave. PDIU kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Ramës dhe zgjedhje të parakohshme.
“I vetmi hap që kryeministri duhet të mendojë sot dhe pa humbur asnjë minutë është dorëheqja e tij dhe hapja rrugë e normalizimit të klimës politike në Shqipëri dhe zgjedhjeve te parakohshme”, theksohet në deklaratën e PDIU.
Deklaratë për media e PDIU
Dje Këshilli Europian vendosi zyrtarisht moshapjen e negociatave me Shqipërinë.
Shqiptarët kanë që nga viti 2014 kur Shqipëria mori statusin e vendit kandidat që shpresojnë hapjen e negociatave me BE.
Pas tre vitesh përgjatë të cilave kryeministri përsëriste pa u lodhur se negociatat ishin hapur dhe Shqipëria kishte marrë dritën jeshile për në Europë, sot u shkrua e zezë mbi të bardhë që Shqipëria e kish të pamundur të vazhdonte në rrugën e saj të integrimit.
Lajmi është më shumë se i keq për vendin dhe nuk ka shqiptar që këtë JO të Brukselit nuk e konsideron si një lajm negativ për të dhe të ardhmen e tij..
Pas kësaj, çdo përrallë e lobuar dhe e bojatisur mirë për reforma të suksesshme bie.
Familja Europiane e ka të pamundur të pranojë një vend që eksporton vetëm krim të organizuar, drogë dhe emigrantë dhe siç theksoi Presidenti Macron sot jemi në vendin e dytë për azilkërkues.
Gjysëm milioni shqiptarë që ikin nga sytë këmbët janë treguesi më domethënës për gjendjen në vend.
Për gjithë situatën ku është katandisur vendi ka vetëm një përgjegjës, kryeministri Edi Rama dhe politikat e tij në mbrojtje të krimit, shkatërruesit të demokracisë funksionale dhe ekonomise, të cilat po detyrojnë shqiptarët të braktisin masivisht vendin dhe po i vënë Shqipërisë një vulë turpi të pamerituar në familjen Europiane.
Alibia e problemeve të brendshme të Europës është e paparanueshme.
Boll më me arrogancën qesharake të brekusheve dhe liderit rajonal bartës së ideve për Shengenin Ballkanik të Titos, e pa Kosoven, si alternativë për një vend si Shqipëria që e ka vuajur në gjithë historinë e vet mijëra – vjeçare, qenien fizikisht në Europë dhe poitikisht dhe administrativisht në perandoritë e Lindjes.
Ka tre vite që shqiptarët po gënjehen me zë dhe figurë nga vetë kryeministri i tyre çdo tetor kur hap shishen e shampanjës për hapjen e negociatave.
Kemi një deklaratë me zë dhe figurë nga presidenti francez i cili jo vetëm nuk pranon dot emigracionin, drogën dhe krimin shqiptar por thekson se liberalizimi i vizave do duhej të ishte menduar, sepse nuk solli impaktin pozitiv që mendohej.
Pas kësaj deklarate çdo interpretim është i tepërt.
I vetmi hap që kryeministri duhet të mendojë sot dhe pa humbur asnjë minutë është dorëheqja e tij dhe hapja rrugë e normalizimit të klimës politike në Shqipëri dhe zgjedhjeve te parakohshme .
Pluralizimi politik dhe demokracia janë gurët e themelit të familjes europiane.
Sot rrezikojmë këto dy arritje të jashtëzakonshme të shoqërisë shqiptare në emër të një pushteti të vjedhur nga krimi dhe autoritarizmi.