Gjykata e Shkallës së Parë të Durrësit ka lëshuar masat e sigurisë për 5 punonjësit e Bashkisë Rrogozinë, të cilët abuzuan me fondet e rindërtimit të tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Masa e sigurisë “arrest në burg” është lëshuar për punonjësit Besim Ballabani, Elton Levonja dhe Mario Mekaj.
Sakaq, për Xhemile Uku dhe Edlira Ramaj është lëshuar masa e sigurisë “detyrim për paraqitje”.
Pesë punonjësit e administratës akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikim e mashtrim”.
Ata i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit dëmin në vlerën 353,471,090 lekë.
Burimet raportojnë se zyrtarët vlerësuan 78 kasolle derrash e bagëtish si banesa të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntori 2019 që tronditi vendin.
Prokuroria kërkoi masën e sigurisë “arrest në burg” për të pestë punonjësit, por më pas ndryshoi kërkesën për Xhemile Uku pasi ka një fëmijë nën 1 vjeç dhe për Edlira Ramaj për shkak të rrethanave familjare.
Vendimi i Gjykatës:
Konfirmimin dhe vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personave nën hetim shtetasve M. M., E. L., B. B.caktuar me vendimin nr. 681 dt. 30.09.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës parashikuar nga neni 248 i K.Penal.
2. Zëvendësimin e masës së sigurisë për shtetasen Xh. U. duke caktuar masën e sigurisë ‘’ arrest në shtëpi’’ parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale. urdhërohet personi nën hetim Xh. U. që t mos largohet nga banesa e saj e ndodhur në Lagjia nr. 1 në Rrogozhinë.
3. Zëvendësimin e masës së sigurisë për shtetasen E.Ra. duke caktuar masën e sigurimit personal Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore të hënën e parë dhe të tretë të muaji ora 08.00 si dhe masën e sigurimit Ndalimi i daljes jashtë shtetit.
4. Urdhërohet policia gjyqësore dhe prokuroria që të zbatoj këtë vendim.
5. Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
6. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të këtij vendimit.
7. U shpall në Durrës, sot më datë 01.10.2024.