Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë vendimin për të liruar nga burgu shtetasin Bashkim Haxhija, i cili akuzohet për trafik narkotikësh, duke caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Ka qenë Haxhija ai që kërkoi shuarjen e masës së sigurisë “arrest në burg” pasi paraburgimi ka humbur fuqinë e saj.
GJKKO-ja pas konstatimit së humbjes së fuqisë së paraburgimit, caktoi ndaj tij masën “arrest në shtëpi”.
Bashkim Haxhija ndodhet nën hetim për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, i kryer në bashkëpunim, atë të grupit të strukturuar kriminal.
Vendimi i GJKKO:
- Kërkuesi Bashkim Haxhija (i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Trafikimi i narkotikëve” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a/1 dhe 28/4 të Kodit Penal, atribuar më datë 18.07.2023) me datë 04.11.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Konstatimin e shuarjes së masës së sigurimit personal “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me Vendimin Nr. 308 Akti, datë 21.07.2023, ndaj personit nën hetim Bashkim Haxhija, për shkak të humbjes së fuqisë së paraburgimit”.
- Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 263, 1 pika “c”, 266 pika 1 të K.Pr.Penale, si dhe në vendimin Nr. 195, datë 24.07.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, me vendimin Nr. 625, datë 06.11.2024, vendosi:
1. Konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimi, konkretisht të masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr. Penale caktuar ndaj personit nën hetim Bashkim Musa HAXHIJA, me Vendimin Nr. 308, datë 21.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe zgjatuar me vendimin Nr. 439, datë 16.07.2024 të kësaj Gjykate, për shkak të kalimit të afateve të paraburgimit gjatë hetimeve paraprake.
2. Bazuar në nenin 266 pika 1 të K.Pr.Penale caktimin ndaj personit nën hetim Bashkim Musa HAXHIJA, të masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.
3. Detyrohet personi nën hetim Bashkim Musa HAXHIJA të mos largohet nga banesa e tij me adrese: ****
4. Detyrimin e personit nën hetim Bashkim Musa HAXHIJA, të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që bashkëjetojnë me të.
5. Zbatimi dhe mbikëqyrja e kësaj mase të bëhet nga oficerët e policisë gjyqësore që mbulojnë vendbanimin e personit nën hetim Bashkim Musa HAXHIJA.
6. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
7. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.