Vijojnë kërkimet për Ardit Beshirin, punëtorin e ekskavatorit në fabrikën e përpunimit të kromit në Burrel, i cili u zuri poshtë një masiv dheu pas rrëshqitjes së ndodhur të shtunën, më 3 maj.
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se menjëherë pas incidentit është nisur një operacion shpëtimi për punonjësin e zhdukur, ku janë angazhuar forca të shumta për lokalizimin dhe nxjerrjen e trupit të tij.
Në këtë operacion kompleks po marrin pjesë:
- Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi i bashkisë Klos
- Forcat e Policisë
- Punonjës të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM)
- Ekip mjekësor me autoambulancë
- Forca vullnetarizmi nga komuniteti
- Efektivë të Forcave të Armatosura me pajisje për detektimin e metaleve
- Punonjës të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore
Sipas të dhënave zyrtare, rrëshqitja ka pasur përmasa të konsiderueshme rreth 500 metra gjatësi, 20 metra gjerësi dhe mbi 4 metra thellësi. Pavarësisht kushteve të vështira dhe rrezikut të rrëshqitjeve të tjera, operacioni po vijon me kujdes ekstrem.
Ministria thekson se, pavarësisht përpjekjeve intensive, deri më tani nuk është bërë e mundur të lokalizohet apo të nxirret trupi i punonjësit të ekskavatorit.