Rreth dy muaj pas vrasjes makabre të 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula nga ish-i dashuri i saj filipinas, Mark Samson, kanë dalë në dritë detaje të reja nga hetimet e kryera në banesën e autorit të krimit. Vajza u vra me tre goditje thike në qafë dhe më pas u fut në një valixhe, e cila u hodh në një greminë.
Mediat italiane raportojnë se nga pamjet e dhomës së 23-vjeçarit duket se janë lëvizur mobiljet për të fshehur gjurmët e gjakut. Po ashtu, në banesë është gjetur edhe çanta me rrobat që Ilaria kishte sjellë, pasi kishte vendosur të shkonte për të marrë sendet e saj, duke qenë se lidhja mes tyre kishte përfunduar.
Mark Samson, tashmë i arrestuar, ka ndarë me hetuesit një skicë të dhomës së tij para dhe pas krimit. Ai ka treguar se një mobilje me libra, që nuk ishte gjithmonë në atë vend, u përdor për të mbuluar vendin ku Ilaria u vra dhe ra në tokë. Sipas tij, nëna e tij ka ndihmuar në fshehjen e gjurmëve të gjakut, duke lëvizur mobiljen dhe duke ndryshuar pozicionin e krevatit.
Prokuroria e Romës ka vënë nën hetim edhe nënën e autorit për bashkëpunim në fshehjen e trupit të pajetë dhe pastrimin e skenës së krimit. Në intervistat e saj, ajo ka folur për sjelljen e të birit, ndërsa babai i tij, pozita e të cilit ende po shqyrtohet nga autoritetet, nuk ka vënë re ndryshimet në dhomë.
Policia shkencore po vijon hetimet për të zbuluar nëse në krim mund të kenë qenë të përfshirë edhe persona të tjerë.