Një djalosh tetëvjeçar e ka humbur jetën, pasi që ai dhe nëna e tij ishin shtyrë qëllimisht dhe kishin rënë në binarët e trenave të shpejtësisë së lartë, në stacionin kryesor hekurudhor të Frankfurtit, ka bërë të ditur policia në Gjermani.
Djaloshi ishte goditur nga një tren i shpejtësisë së lartë, ICE, dhe kishte vdekur në vend. Nëna e tij kishte arritur që të rrokullisej drejt një hapësire të sigurt midis dy platformave dhe kishte shpëtuar, ka raportuar “The Guardian”.
Pasagjerë të shumtë e kishin ndjekur të dyshimtin në stacion dhe e kishin shtrirë në tokë. Policia më vonë kishte konfirmuar se një 40-vjeçar me origjinë afrikane ishte arrestuar.
Incidenti kishte ndodhur në orën 10:00 të së hënës, në platformën shtatë të stacionit, që është njëra prej më të ngarkuarave në Gjermani. Nëna e djaloshit është ende në gjendje shoku, ka bërë të ditur zëdhënësja e policisë, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Pasagjerë të shumtë kanë qenë dëshmitarë të tmerrit dhe e kanë ndjekur të dyshimtin që po ikte. Ne patëm mundësi ta arrestonim teksa ai ndodhej ende në stacion”, ka thënë zëdhënësja. Ajo ka shtuar se i dyshimti synonte që ta shtynte edhe një person të tretë poshtë binarëve, “por ajo arriti të mbrohej”.
I dyshimti besohet të jetë nga Eritrea, sipas policisë. Ai ndodhet në burg dhe policia ka shtuar se motivi i mundshëm mbetet i paqartë. I dyshimti dhe viktimat nuk besohet të jenë njohur mes vete,
Gjashtë platforma kanë mbetur të mbyllura për disa orë.
Incidenti vjen pas vdekjes së një 34-vjeçareje nëntë ditë më parë, të cilën e kishin shtyrë para një treni rajonal në Voerde, në shtetin perëndimor gjerman në Nordrhein-Westfallen, në atë që po ashtu besohet të ketë qenë sulm i paprovokuar.
I dyshimti 28-vjeçar, me origjinë serb i Kosovës dhe i identifikuar vetëm si Jackson B, sipas protokollit të policisë gjermane, kishte pasur dosje në polici. Ai po mbahet në paraburgim dhe besohet të mos e ketë njohur viktimën.
Dëshmitarët i kishin thënë policisë se një person i ishte afruar viktimës nga prapa pa folur me të dhe e kishte shtyrë në binarë. I dyshimti ka refuzuar që t’iu përgjigjet pyetjeve deri më tani.
Pasagjerët që presin trenat në Gjermani janë këshilluar që të jenë të kujdesshëm në platformë dhe të qëndrojnë së paku dy metra larg cepit të platformës.