Nëna me dy fëmijë rrëfen tmerrin: Burri tentoi të më nxirrte si prostitutë, paratë i linte në bixhoz

Një nënë 40-vjeçare e dy fëmijëve të sëmurë ka rrëfyer sot në emisionin “Me zemër të hapur” në News24, historinë e vështirë të bashkëjetesës së saj me ish bashkëshortin Fatmir Murrizi.

Bukurie Murrizi, tregon se prej 16 vitesh që ka qenë e martuar me Fatmirin, ajo është bërë shpesh pre e dhunës dhe madje bashkëshorti ka tentuar ta përdorë edhe si prostitutë.

“Më mori sikur isha prostitutë, jo si grua. Ne na lidhën familjarët. Vëllezërit e mi nuk e donin, por unë vendosa vetë. Ai donte një grua që t’i gatuante e të kujdesej. Më shumë kërkonte një shërbyese. Por kujtoja se me kalimin e kohës dhe të bëheshim me fëmijë do të ndryshonte.

Goca e tezes së tij ma mbushi mendjen, por vëllezërit e mi kishin dëgjuar fjalë që dhunonte edhe nënën e tij. Përpara se të martohesha  me të, u njohëm pak kohë, dhe vëllai ma përsëriste mos m’u anko më vonë se ky njeri nuk është për familje. Për 6 muaj ai më mori. Edhe në 6 muajt e parë, nëna e tij më tha, ky djalë nuk është për ty. Ai më çonte te familja e tij, dhe më mbyllte me çelës në shtëpi.

Ai merrte lekët e nënës së vet dhe i luante bixhoz. Njerëzit fillonin të trokisnin në derë sepse ai kishte borxhe, luante kazino dhe blinte lëndë narkotike. Më pas mbeta shtatzënë dhe linda Xhoin. Nuk e lashë pasi ai gjithnjë më mbante nën presion, me dhunë. Ai kishte frikë të më linte, edhe pse unë kam tentuar të ndahem me të dhe kur isha pa fëmijë. Gabimi im ishte që nuk dëgjova vëllezërit. Ai tentoi të më përdorte dhe për prostitutë, por nuk arriti dot. Kishte dhe frikën e vëllezërve të mi,” rrëfen Bukuria.

Bukuria vazhdon të tregojë më tej se si bashkëshorti i saj donte të shiste banesën ku jetonte nëna e tij, por nuk mundte, pasi nëna e denonconte shpesh për dhunë.

“Kur linda Xhoin, djalin e madh, kuptova që ai donte të na nxirrte në rrugë mua dhe nënën e tij, dhe e kam dëgjuar që i thoshte doktorit lije mos e opero fëmijën se donte që të ishte i sëmurë”

“Si ta propozoi për të dalë në rrugë”, pyeti moderatorja e misionit.

“Ma tha troç, shko dil prostitutë, se unë dua lekët. Donte të më detyronte duke më rrahur, por unë rezistova falë familjes, të cilët më ndihmuan. Edhe nëna e tij ma thoshte, ai nuk të do për grua, por do që të dalësh në rrugë. Edhe vetë nuk e kam kuptuar si kam qëndruar kaq shumë me atë njeri”, u përgjigj Bukuria.