Kryeministri Albin Kurti sot ka kërkuar të iniciohet shkarkim i Hashim Thaçit nga posti i presidentit. Ai e ka njoftuar kryekuvendaren e Kosovës, Vjosa Osmani se kishte kërkuar analizë ligjore të një marrëveshjeje sekrete të prillit të 2013-tës midis Hashim Thaçit, asokohe kryeministër dhe Sekretarit të atëhershëm të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
Përmes kësaj marrëveshje Thaçi në emër të Kosovës e barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar.
Kryeministri Kurti bashkë me marrëveshjen dhe letrën dërguar Osmanit, e ka publikuar edhe opinionin e lëshuar nga Zyra ligjore e kryeministrit, përfundim i të cilit është se Thaçi ka kryer shkelje të rëndë kushtetuese.
“Duke marrë parasysh provat në dispozicion të Zyrës së Kryeministrit, si dhe dispozitat relevante të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ekzistojnë baza të mjaftueshme për të konstatuar ‘prima facie’ se presidenti Thaçi, gjatë kohës kur ishte kryeministër, ka kryer shkelje te rënda te Kushtetutës dhe se kryerja e këtyre shkeljeve justifikon inicimin e procedurës kushtetuese për shkarkimin e tij nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në përfundimin e opinionit të Zyrës Ligjore të kryeministrisë.
Në opinionin nga zyra ligjore e kryeministrit Albin Kurti, lidhur me marrëveshjen sekrete të presidentit Thaçi, theksohet se kjo marrëveshje i është dorëzuar Kurtit nga një zyrtar i NATO-s.
Inicimi i shkarkimit të Thaçit nga posti i presidentit, paraqet edhe një goditje të rëndë për strukturat e LPK-së, që nën petkun e “patriotizmit” kanë bë lëshime marrramendëse në favor të Serbisë. Efekti i kësaj goditje me siguri nuk do të jetë vetëm brenda Kosovës, por do të ndihet edhe te strukturat e LPK-së në Maqedoninë e Veriut, sepse rasti i lartpërmendur tregon se pikërisht atëherë kur strukturat e LPK-së shesin patriotizëm më së shumti, atëherë de facto i sjellin vendimet më të dëmshme kundër shqiptarëve./lajmpress.org