Ish-drejtuesi i policisë, Arben Hajdarmataj, i ftuar në emisionin “Open” për News24, ka komentuar ngjarjen e rëndë ku mbeti i vrarë 14- vjeçari Martin Cani. Hajdarmataj u shpreh se nëse kjo ngjarje po manipulohet, do të ishte skandal.
Sipas tij, nëse mjekësia ligjore thotë se nuk ka bërë ekspertizë akoma, është e palogjikshme që të bëhet me vonesë.
I ftuar në emisionin “Open” ai u shpreh se probabiliteti që një adoleshent të shkaktojë kaq shumë plagë është i vogël.
“Ngjarja ende nuk është zbardhur plotësisht, edhe pse kanë kaluar disa ditë. Të lë pa fjalë fakti që ka kaluar kohë dhe nuk mund të bëhen veprime shumë më vonë. Sepse psh nëse ka një plagë, përcaktimet bëhen në ditët e para dhe jo pas shumë kohësh. Nëse mjekësia ligjore thotë se nuk ka bërë ekspertizë akoma, është e palogjikshme që të bëhet me vonesë. Kanë dalë njohje e lidhje në këtë ngjarje. Probabiliteti që një adoleshent të shkaktojë kaq shumë plagë është i vogël. Autori i dytë që pretendohet se ka qenë në vendngjarje ka babanë në sistemin e drejtësisë më duket. Nëse ngjarja manipulohet do ishte skandal. Prokurori duhet t’ia tregojë videon, që pretendon policia se është e qartë. Këto janë pretendime, nuk po themi se është kështu”, tha Hajdarmataj.