Nëse pagat nuk rriten, mjekët do të ikin nga Kosova

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës po kërkon që në projektligjin e pagave të bëhen disa ndryshime të cilat do krijonin vend më meritor për personelin shëndetësor në vend.

kërkesa ata i paraqiten në tryezën e organizuar nga ta ku u diskutua mbi Projektligjin e pagave si pjesë e pakos legjislative të reformës në Administratën Publike.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, tha se me gjithë ndryshimet që janë bërë në sektorin e shëndetësisë, aspekti i pagave për punëtorët shëndetësorë lë shumë për të dëshiruar.

Ai si shqetësim gjatë kësaj tryeze e ka shfaqur edhe ikjen e mjekëve dhe studentëve për çka tha se nëse nuk plotësohet koeficienti që ata kërkojnë, largimi i tyre do vazhdojë.

Syla duke i shpalosur kërkesat e Federatës Sindikale për plotësime në ligjin e pagave tha se në këtë projektligj nuk janë ranguar stomatologët, psikologët klinikë, ndërsa është bërë një renditje jo e duhur për infermierët.

“Ajo çka kërkuar Federata e Sindikatave është konform rregullave, neneve që i kanë në atë ligj. Kemi kërkuar që koeficienti i mjekut specialist të jetë gjashtë, dhe mandej të shkojmë me 0.5 tek mjeku familjar, tek mjeku i përgjithshëm dhe mjeku në specializim. Kemi parë mangësi aty që nuk janë ranguar stomatologët, mjekët specialist stomatologë, psikologët klinikë. Ndërsa për infermierë të cilët janë me bachelor dhe infermier të thjeshtë ne kemi parë një renditje jo të mirë dhe jo të kënaqshme… në tri nivele si duket është tentim i manipulimit dhe kemi propozuar që të kemi veç dy kategori, niveli bachelor të paguhet me 2.7, ndërsa niveli i infermierëve të paguhet me 2.2” , tha Syla, transmeton KP.

Kryetari i FSSHK-së u shpreh i shqetësuar edhe për moshën e shtyrë të personelit mjekësor që punojnë në sektorin shëndetësor në vend.

Ministri i Shëndetësisë,Uran Ismajli u shpreh se në shëndetësinë kosovare duhet të investohet në trajtimin më të mirë të pacientëve dhe investimi në edukimin për punëtorët shëndetësorë.

Duke folur për largimin e personelit shëndetësor nga Kosova, Ismajli u shpreh se mekanizmi kryesor që personeli shëndetësor të qëndrojë në Kosovë është paga e dinjitetshme.

Ai tha se në bazë të ligjit të ri për pagat, mjekët specialistë do marrin paga shumë më të mira se sa që i kanë pasur deri më tani, dhe se ky ligj ka nevojë për disa ndryshime.

“Kur iu kemi qasur rritjes së pagave, iu kemi qasur në dy aspekte, e para një kërkesë e gjatë dhe e cila duhet me u pagua shumë për një shkollim të lartë, për procedura shumë të komplikuara dhe për orë të gjata të cilat punohen pagesa që është bërë për personelin shëndetësor nuk ka qenë e duhur… Ligji është lëvizje e duhur në drejtim të duhur ka një kapërcim mjaft të madh në pagesën e mjekëve specialist, pra është një ndryshim i madh nga ajo që janë paguar dhe që pritet të paguhen a ka vende ku mund të ndryshojmë…unë jam aleat shumë i fuqishëm i këtij ligji që të kaloj natyrisht me disa përmirësime, por ne nuk guxojmë ta humbim rastin ta kalojmë këtë ligj sepse po që se nuk e kaluam ligjin kthehemi në pikën zero”, tha ministri Ismajli.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale Besa Baftiu tha se ligji për pagat ka qenë i domosdoshëm pasi që deri më tani në Kosovë pozita të njëjta janë paguar ndryshe nga një institucion në tjetrin dhe që kjo përbën pabarazi.

Baftiu ka kërkuar standardizim sa i përket shtesave për të gjitha kategoritë, duke shtuar se nuk duhet të kalojnë vlerën mbi 30 për qind.

“Në këtë projektligj ka pozita politike dhe në administratë janë më të vlerësuara se sa në shëndetësi dhe në arsim, po ashtu edhe niveli i shtesave nuk është i barabartë. Në disa raste shtesat e posaçme janë 50 për qind disa 30 për qind e në disa 20. Mendoj se do të duhet të ketë një standardizim për shtesat e cila vlen dhe pastaj për të gjitha kategoritë. Unë mendoj që duhet të rritet paga bazë ndërsa niveli i shtesave nuk duhet të kalojë mbi 30 për qind të pagës bazë në asnjë rrethanë kjo krijon mundësi për keqpërdorime dhe krijim të pabarazisë“, tha Baftiu.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka kërkuar që në projektligjin e pagave të ketë një kategorizim të veçantë për personelin shëndetësor.

“Kur jemi tek ligji shohim që kategorizimi që është bërë në ligj nuk është vlerësua kjo, nuk është vlerësua e gjithë ngritja akademike edhe shkencore e personelit shëndetësor sepse tek mjeku specialistë përfundon çdo gjë në kuptimin e pagesës me specializim. Ky ligj i pagave duhet me e bë një kategorizim të veçantë në shëndetësi në raport me shërbyesit tjerë civil”, u shpreh ai.

Projektligji për pagat ditë më parë ka kaluar në Qeveri dhe është proceduar në Kuvendin e Kosovës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme