Pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet partive shqiptare, veç Vetëvendosjes dhe Listës Serbe partitë tjera janë shprehur pro demarkacionit. Por koalicionit qeverisës i duhen edhe 2 ose 3 vota për të arritur numrin e mjaftueshëm që nevojiten për ta ratifikuar këtë marrëveshje.
Megjithatë zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli ka një dilemë tjetër sa i përket mundësisë që marrëveshja e demarkacionit të kalojë të mërkurën në Kuvend.
Në një intervistë për “Lajmi”, Pacolli ka thënë se frikësohet nga debati i gjatë që mund të bëhet nga deputetët, dhe mundësia që ndonjëri nga ta të mos jetë në sallë në momentin që votohet.
Shefi i diplomacisë kosovare ka kërkuar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje që ta votojnë këtë marrëveshje, pasi sipas tij është jetike për interesin e qytetarëve të Kosovës.
“Do të ishte mirë që edhe VV-ja ta votojë këtë projektligj nëse konsideron se është në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe në shërbim të vendit, unë do të isha i prirur të pres edhe nga VV një lëvizje të tillë”, ka thënë presidenti i AKR-së.
Pacolli është shprehur optimist se edhe deputetët e Listës Serbe do ta votojnë marrëveshjen për shenjëzimin e kufirit me Malin e Zi.
Zv/kryeministri i parë në qeverinë e Kosovës është zotuar se nëse demarkacioni ratifikohet më së largu në fillimin e muajit mars, liberalizimi i vizave do të ndodhë në muajin shtator.
“Sidoqoftë marsi pjesa e parë e marsit për ne është kurciale, shumë me rëndësi dhe nëse ndodhë ratifikimi i demarkacionit në pjesën e parë të marsit, ne do të mundemi të llogarisim me liberalizim të vizave diku kah shtatori”, ka thënë Behgjet Pacolli./Lajmi