Organizatat dhe shoqatat joqeveritare do të protestojnë sërish nesër (28.12.2024) pasi nuk kanë marrë përgjigje për kërkesat e tyre për zbatimin e masave për uljen e ndotjes së ajrit. Marshi protestues për ajër të pastër fillon në ora 12:30 nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, vazhdon më tej përpara Kuvendit, Qeverisë dhe do të përfundojë para Qytetit të Shkupit.
“Po protestojmë sërish pasi institucionet kompetente nuk e panë të udhës t’i përgjigjen kërkesave të qytetarëve për ajër të pastër të shprehura në protestën e 10 dhjetorit. Ne protestojmë sepse çdo vit më shumë se 3800 njerëz në Maqedoni humbin jetën si pasojë e drejtpërdrejtë e ekspozimit ndaj grimcave të dëmshme PM2.5. Kjo përbën 17.7% të vdekshmërisë totale në vend. Veçanërisht shqetësues është fakti se një në nëntë fëmijë të vdekur nën moshën një vjeçe vdes për shkak të ndotjes së ajrit”, thuhet në njoftimin e OJQ-ve.